Aktuale
Peja ua bllokon llogaritë bankare borxhlinjve të tatimit në pronë
Drejtoria e Financave të Komunës së Pejës ka nisur të përgatitë listat për dërgimin e vërejtjeve të dyta për bllokim të llogarive bankare të gjithë borxhlinjve fizikë dhe juridikë që nuk janë duke i përgjigjen shlyerjes së borxheve që i kanë ndaj arkës komunale për tatimin në pronë, shkruan sot “Koha Ditore”.
Një procedurë të ngjashme kjo drejtori e ka zhvilluar nëntorin e vitit të kaluar, por vetëm ndaj bizneseve që kanë pasur më së shumti borxhe për tatimin në pronë. Në atë listë kanë qenë 57 persona juridikë me gjithsej 310 mijë euro borxhe.
Këtyre bizneseve u është dërguar atë muaj vërejtja e parë për bllokimin e llogarisë bankare, në raste se nuk e shlyejnë së paku gjysmën e borxhit që kishin. Pas vërejtjeve të para, siç thotë drejtori i Financave, Jeton Abazaj, kanë shlyer një pjesë të borxheve që i kanë pasur ato biznese.
Abazaj tregon se herën e parë janë klasifikuar në listë vetëm bizneseve që kishin qenë borxhlinj me shuma prej pesë mijë eurosh. Tashti, sipas tij, do të përfshihen të gjithë borxhlinjtë, jo vetëm ata që kanë 5 mijë euro borxhe, por edhe nën pesë mijë sosh. Këtë herë vërejtjet, siç thekson Abazaj, do u dërgohen përveç bizneseve edhe gjithë qytetarëve që kanë borxhe për tatimin në pronë. Për shumicën do të jenë vërejtjet e para, por për disa tjerë këto janë vërejtjet e dyta që u dërgohen.




