Aktuale
PD: Vidhen 40 milionë euro, ARRSH thotë se tenderi i “Unazës së Re” është konform ligjit

Partia Demokratike akuzoi sot Bashkinë e Tiranës dhe ARRSH-në se kanë përdorur një skemë korruptive për të ndarë 40 mln eurot që parashikon tenderi për ndërtimin e aksit të “Unazës së Madhe” nga Pallati me Shigjeta deri tek Sheshi Shqiponja.
Zëdhënësja e PD, Ina Zhupa deklaroi se Edi Rama dhe Erion Veliaj heshtin për protestën e mbi 2 mijë banorëve, sepse ata kanë vënë në jetë një skemë korruptive për 3 km rrugë.
“Skema korruptive është e qartë. Fituesit janë të 3 të paracaktuar. Nga dy pjesëmarrës në të 3 tenderat, kompania e dytë nuk ka bërë ofertë, duke legjitimuar tenderat. Dokumentet provojnë se përfitues të 18 milionë euro janë një kompani fantazmë, DH Albania dhe Biba X, e cila kur ka hyrë në tender dhe deri kur është shpallur fituesi ka qenë nën sekuestro”, tha ajo.
Por ARRSH ka sqaruar në një njoftim për mediat se procedura e tenderimit është kryer konform ligjit dhe ka dhënë detaje mbi të gjithë aktorët që kanë marrë pjesë në garë.
Reagimi i ARRSH:
Procedura e prokurimit është zhvilluar në përputhje me ligjin nr.9643 datë 20.11.2006 “Për Prokurimin Publik” i ndryshuar, VKM-së nr.914 datë 29.12.2014 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik” e ndryshuar. Kjo procedurë bazuar në detyrimet ligjore të mësipërme është zhvilluar e hapur, me mjete elektronike. Dokumentet e tenderit, përfshire të gjitha shtojcat e nevojshme si, projekt, specifikimet teknike, preventiv dhe kërkesat për kualifikim janë bërë publike ne datë 10.09.2018 dhe janë lehtësisht të aksesueshme nga çdo person i interesuar. Në dispozicion të operatoreve ekonomik janë vënë 37 ditë kalendarike për përgatitjen e ofertave dhe dokumenteve shoqëruese përkatës, nga minimlalisht 30 ditë, që kërkohen bazuar ne rregullat e prokurimit publik. Referuar dokumenteve te tenderit, janë krijuar te gjitha hapësirat e nevojshme për shoqëritë vendase ose të huaja ne paraqitjen e ofertave dhe plotësimin e kritereve te dhëna në dokumentet e tenderit. Janë përcaktuar qarte rregullat kur ofertuesit paraqiten si bashkim i përkohshëm i operatoreve ekonomik.
Më datë 17.10.2018 ora 10.00, është bërë hapja publike e procedurës së prokurimit, nëpërmjet sistemit elektronik. Është konstatuar që kanë marrë pjesë operatorët e mëposhtëm:
“Biba x shpk” & “DH Albania shpk – dogë e shoqërise së huaj” me ofertën ekonomike 2.246.450.000,09 lekë, pa TVSH
“Vëllezrit Hysa shpk” nuk kanë paraqitur dokumentacion dhe as ofertë
Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, i ngarkuar për këtë qëllim, ka vlerësuar dokumentacionin e dhënë duke kualifikuar vetëm bashkimin e përkohshëm të operatorëve ekonomik “Biba x shpk” & “DH Albania shpk – degë e shoqërisë së huaj”, pasi ka konstatuar që dokumentet janë në përputhje me kriteret e dhëna në dokumentet e tenderit. Më pas AK-ja ka respektuar afatet ligjore nëse do të kishte ankesa ne lidhje me këtë vlerësim dhe vetëm pasi nuk kanë rezultuar te tilla, ka vijuar me njoftimin e fituesit dhe nënshkrimin e kontratës.
Vlen të nënvizohet fakti qe, referuar dokumentave të paraqitura, rezulton se DH Albania shpk – është degë e shoqërisë së huaj “Dunwel Habermam” me adrese Centerville Rd., Neë Castle County, Wilmington, Delaëare 19808, USA. Kjo kompani, në përmbushje të kritereve të dhëna në dokumentet e tenderit ka bërë dhe njësimin e licencës duke respektuar Vendimin e Këshillit te Ministrave Nr. 42 date 16.01.2008, ”Për miratimin e rregullores për kriteret dhe Procedurat e dhënies së licencave profesionale të zbatimit, klasifikimit dhe disiplinimit të subjekteve juridike që ushtrojnë veprimtari ndërtimi”. Njësimi i saj ka konkluduar me një nivel maksimal të licencimit, bazuar ne veprimtarinë ekonomike të saj në vendin e origjinës, duke mbajtur kategoritë maksimale (kategoria G) për 30 nga 32 kategori punimesh të ndërtimit. Dunwell Haberman ofron një gamë gjithëpërfshirëse të shërbimeve inxhinierike dhe teknike në botë dhe ka një staf prej mbi 3500 punonjës.
Operatori ekonomik Biba x shpk, pjesë e këtij bashkimi me 7 % te punimeve, plotëson kriteret e dhëna konform dokumentave te tenderit dhe është në perputhje të plote me rregullat e prokurimit publik. Neni 45/2, LPP-së përcakton: Çdo kandidat ose ofertues kualifikohet/pranohet ne një procedurë duke deklaruar se:
- a) Është i regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit dhe ka në fushën e veprimtarisë objektin e prokurimit. Në rastin kur ofertuesi është një organizatë jofitimprurëse, duhet të deklarojë se është i regjistruar si person juridik, sipas Ligjit Nr.8788, datë 07.05.2001 “Për Organizatat jo Fitimprurëse”
- b) nuk është në proces falimentimi, (statusi aktiv)
- b) nuk është dënuar për shkelje penale, në përputhje me Nenin 45/1 të LPP,
- c) nuk është dënuar me vendim të gjykatës së formës së prerë, për vepra që lidhen me veprimtarinë profesionale.
- d) ka paguar të gjitha detyrimet për pagimin e tatimeve e të kontributeve të sigurimeve shoqërore, sipas legjislacionit në fuqi.
Ky operator në asnjë rast dhe në asnjë moment referuar ekstraktit të QKB-së nuk ka qenë në proces falimentimi dhe statusi rezulton aktiv”, thuhet në njoftim.
