Aktuale
Pastrohen rrugët në kryeqytet por jo edhe trotuaret
Kompanitë e kontraktuara për mirëmbajtjen e rrugëve në Komunën e Prishtinës po vazhdojnë të bëjnë pastrimin e rrugëve që janë vështirë të kalueshme nga reshjet e borës. Kështu ka bërë të ditur i pari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.
Ai ka thënë se prioritet janë arteriet kryesore të qytetit si dhe vendbanimet që tashmë janë bllokuara. Ndërkaq për rastet emergjente Ahmeti ka vënë edhe numrin e Qendrës së Thirrjeve.
Ndërkohë që ka bërë lutje shoferëve për qarkullim të kufizuar dhe përshtatje të shpejtësisë.
Ahmeti ka shpërndarë dhe disa fotografi të pastrimit të rrugëve. Por në këto fotografi shihen trotuaret vëshitrë të kalueshme për këmbësorët.
“Të gjitha kompanitë e kontraktuara kanë qenë tërë natën në terren dhe vazhdojnë të punojnë me kapacitet të plota. Të rreshurat pritet të vazhdojnë prandaj lusim për qarkullim te kufizuar dhe përshtatje të shpejtësisë. Me prioritet janë arteriet kryesore dhe vendbanimet e bllokuara. Për çdo emergjencë lajmërohuni në Qendrën e Thirrjeve 038 245 666 dhe 038 245 777”, ka shkruar Ahmeti në “Facebook”.
Reshjet e borës që po bien nga mbrëmë kanë krijuar vështirësi në qarkullimin e veturave nëpër gjitha rrugët e Kosovës. Ministria e Infrastrukturës përmes një video-incizimit ka treguar se gjitha rrugët rajonale dhe nacionale janë të kalueshme dhe se kompanitë e kontraktuara për mirëmbajtjen e rrugëve po e bëjnë punën e tyre.







