Aktuale
Pasojat e tërmetit: Akti i ekspertimit të banesave publikohet së shpejti online
Rovena Voda, kryetare e Shtabit të Emergjencës Civile në Durrës, ka bërë të ditur se akt-konstatimet për vlerësimet e dëmeve nga tërmeti do publikohen online.
Gjatë një interviste televizive, Voda tha se po punohet për publikimin online të akt- konstatimeve me qëllim që të gjithë qytetarët me një klik të marrin në duar një kopje. “Shumë shpejt do të publikohet një link, një faqe online në internet, ku çdo qytetar mjafton të klikojë dhe të vendosë adresën e tij apo foto të pallatit të tij, apo të japë lokacionin me “Google Map” se ku ndodhet apartamenti dhe menjëherë do të marrë akt-konstatimin. Ne po punojmë për të pasur një transparencë sa më të madhe me qytetarët”-, theksoi Voda. “Ky muaj ka qenë një muaj i dhimbshëm për shqiptarët dhe mjaft impenjativ. Të gjitha institucionet kanë qenë të impenjuara për të koordinuar veprimet e tyre operacionale në përballimin e kësaj situate.
Tashmë ka nisur dhe realizimi i një zgjidhje të afatmesëm, duke pajisur këto qytetarë me bonus qiraje deri në fund të vitit 2020, deri sa rindërtimi i banesave të dëmtuara në kuadër të programit të rindërtimit të realizohet”-, tha Voda. “Inspektimet janë kryer nga një sërë institucionesh, duke nisur nga ASHK, Instituti i Ndërtimit, si dhe inxhinierët e huaj, rreth 110 të tillë, të ardhur sigurisht nëpërmjet bashkëpunimit që ne patëm me mekanizmin e mbrojtjes civile në BE. Inxhinierët vinin nga vende të ndryshme të BE, Franca, Italia, Kroacia, por dhe nga vende të rajonit, si Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, apo Serbia, por dhe më tej, edhe nga Turqia apo Izraeli…etj. Në fillim u inspektuan zonat e rrezikut dhe ky inspektim vijoi deri më 7 dhjetor”, saktësoi Voda.
“Pas 7 dhjetor, në datën 8 dhjetor kemi nisur vëzhgimin në terren, në mënyrë të detajuar, duke dhënë një pasqyrë të dëmtimeve në mënyrë rigoroze, duke klasifikuar nga “Ds 0” deri në “Ds 5”, rrezikshmërinë e objektit. Ky kontroll është bërë me tablet, duke i ruajtur automatikisht të dhënat, dhe duke i transmetuar në qendër atë. Po ashtu kjo formë dhe ky formular njihet nga BE dhe shumë shpejt do publikohet një link, një faqe online në internet, ky çdo qytetarë, mjafton të klikojë të fus adresën e tij apo foto të pallatit të tij, apo të jap lokacionin me Google Map se ku ndodhet apartamenti dhe menjëherë del akti konstatimit. Ne po punojmë për të pasur një transparencë me qytetarët”-, garantoi Voda. Sot, sipas saj, të gjitha zyrat e pritjes në Bashkinë Durrës janë në pritje të qytetarëve, të cilëve u mjafton të bëjnë një kërkesë për t’u njohur me aktin e konstatimit dhe një fotokopje e aktit i është vendosur në dispozicion.
Duke folur për strehimin në struktura hoteliere, Voda tha se “janë mbi 5 500 persona në tre qarqe të strehuar në hotele. Në fillim ishin mbi 6 000. Peshën më të madhe në numër e ka pas qarku i Durrësit me gati 4 000 persona. Numër që vjen në përputhje edhe me numrin e kërkesave për bonus qiraje, që është 3 800 persona”-, tha Voda. Rritja e çmimit të qirasë është një lëvizje që pritej, u shpreh Voda. “Kjo lëvizje edhe pritej, sepse sipërmarrja është sipërmarrje dhe privati është privat dhe gjakftohtë, pavarësisht situatës. Ne s’mund të ndërhymë në mekanizmat e tregut, por ajo që ka përballuar me sukses qeveria është fakti se ka garantuar një standard minimum të jetesës”.
Lidhur me procesin e rindërtimit, ajo tha se konferenca e donatorëve në janar do ta gjejë vendin me një panoramë të qartë të kostove nga pasojat e tërmetit të 26 nëntorit. “Është folur shumë për procesin e rindërtimit. Kemi dhe një Ministër Shteti për Rindërtimin. Kemi një lloj strategjia të qartë se ku do shkojmë me këtë proces”, vuri në dukje ajo. “Deri në fund të dhjetorit jemi në fazën paraprake të vlerësimit total të kostove të dëmeve nga pasojat e tërmetit të 26 nëntorit dhe në janar kemi konferencën e donatorëve. Dhe për të bërë një ekspoze të qartë para donatorëve, po ndiqet metodologjia e kombeve të bashkuara për të bërë një përllogaritjeve të dëmit, jo vetëm të banesave, por edhe biznesit, por dhe për pjesën sociale, institucionet publike, si shkollat, qendrat shëndetësore…etj”-, tha Voda/ata