Aktuale
Pasioni për mozaikët që bashkon tri dashuri
Marigona Ademi është fokusuar në një fushë të veçantë. Është e pasionuar pas mozaikëve të cilët, sipas saj, bëjnë bashkë dashurinë e saj për trashëgiminë kulturore, arkeologjinë, por edhe për artin. Studimet bazë i ka kryer në pikturë.
Ka përfunduar studimet bachelor në vitin 2012 në Universitetin e Prishtinës, ndërsa prej atij viti i është kthyer studimit të kulturës dhe trashëgimisë në nivel akademik. Ka vazhduar master për trashëgiminë kulturore dhe menaxhim të turizmit kulturor në Universitetin e Prizrenit, ndërsa në “École normale supérieure” në Paris është duke ndjekur drejtimin për studime antike.
“Për të dashur diçka, duhet të jesh i informuar”, thotë ajo. Dashuria e saj për trashëgiminë kulturore zë fill qëkur ishte nxënëse. Thotë se atëherë mësuesit e historisë e bënin kureshtare me temat që sqaronin dhe e shtynin që të eksploronte më shumë, shkruan sot “Koha Ditore”. Më vonë, siç thotë ajo, ka pasur fatin që të jetë pjesë e kampit multietnik arkeologjik “Ulpiana” për disa vite me radhë e pastaj edhe bashkëpunëtore e Institutit Arkeologjik që nga 2012 deri më 2018. Po ashtu, ajo ka qenë edhe bashkëpunëtore e Muzeut Kombëtar të Kosovës.
Gjatë periudhës që ka bashkëpunuar me këto dy institucione, ka filluar pasioni i saj për trashëgiminë dhe mozaikët. Ndër vite ka qenë pjesë e projekteve të ndryshme, si për përgatitjen e librit për fëmijë “Udhëtim në kohë” botuar më 2013 nga Muzeu i Kosovës, një libër ilustrues për trashëgiminë kulturore.
Në realizimin e Hartës Arkeologjike të Kosovës së bashku me Institutin Arkeologjik të Kosovës në vitin 2013, ka realizuar ilustrime. Të njëjtën gjë ka bërë edhe gjatë viteve 2013-2014 për Katalogun Arkeologjik të Institutit Arkeologjik të Kosovës.
Rëndësia e shumëfishtë e veprave dekorative
“Më sjell shumë kënaqësi kur nga një vepër arti dekorative, siç është mozaiku, mund të vë në pah aq shumë të dhëna historike, ekonomike, sociale e psikologjikë të popujve që kanë jetuar para nesh”, thotë studiuesja e mozaikëve Marigona Ademi.
Beson se përmes studimit të mozaikëve mund t’i ndihmoj vendit, por edhe fushën së cilës i është dedikuar. Të veçantë i ka mozaikët e Kosovës.