Ndërtim
Pas uraganit Irma , ¼ e shtëpive në Florida nuk ekzistojnë
Të evakuarit e uraganit “Irma” kanë nisur të kthehen në ishujt “Florida Keys”, ku kanë gjetur skena shkatërrimi, me çerekun e shtëpive të zhdukura nga faqja e dheut dhe çdo ndërtesë tjetër me dëme serioze.
Pamjet tregojnë qartë shkallën e shkatërrimit, që “Irma” dhe erërat e saj prej 200 km në orë lanë pas. Ekipet e shpëtimit dhe kërkimit po shqyrtojnë zonat e goditura më rëndë, në kërkim të njerëzve që mund të kenë mbetur të izoluar.
Presidenti Donald Trump do të vizitojë Floridën të enjten, për të parë më sytë e tij dëmin që “Irma” shkaktoi në këtë shtet amerikan. Rreth 90 mijë banorë që po kthehen në ishujt “Florida Keys” dhe në zonën “Miami Beach” janë paralajmëruar se shumica e stacioneve të karburantit janë mbyllur dhe sinjali i telefonave celularë nuk është i rregullt.
Autoritetet thanë se rreziku tashmë ka kaluar dhe nuk mund t’i ndalojnë njerëzit që të kthehen në banesat e tyre, por ata duhet të kuptojnë se shërbimet janë shumë të kufizuara, pasi nuk ka energji elektrike dhe ujë në shumë zona.
Sipas policisë amerikane, “Irma” shkaktoi 18 viktima në SHBA, 12 prej të cilave në Florida. Rreth 6.9 milionë shtëpi mbetën pa energji elektrike në Florida, Georgia, North Carolina, South Carolina dhe Alabama.
Ishujt “Florida Keys” u përballën me forcën kryesore të “Irmës” dhe, ndërsa njerëzit po kthehen atje, autoritetet po kontrollojnë gjendjen teknike të 42 urave që i lidhin me kontinentin, për t’u siguruar se e kanë kaluar stuhinë me sukses.