Aktuale
Pas rrugës së Arbrit, katër projektet e tjera që do t’i japin infrastrukturë moderne Dibrës

Rruga e Arbrit është vetëm një nga projektet strategjike, e cila do ti ofrojë këtij qarku mundësi të mëdha zhvillimi si dhe ta sjellë atë më afër kryeqytetit.
Gjatë mbledhjes dy ditore të qeverisë në Dibër, Rama prezantoi edhe disa projekte të tjera infrastrukturore, të cilat jo vetëm do ti japin një pamje moderne Dibrës, por do të lehtësojnë shumë lëvizjen e mjeteve dhe njerëzve nga njëra zonë në tjetrën.
Cilat janë këto projekte?
1- Unaza Peshkopi
Qytetarët e Peshkopisë do të kenë më në fund Unazën e qytetit, mungesa e së cilës krijonte kaos në lëvizjen e mjeteve. Pritet që punimet të përfundojnë në pranverën e ardhshme. Ndërtimi i kësaj unaze po bëhet me një financim të qeverisë shqiptare, rreth 2 milionë euro, me gjatësi 3.5 kilometra dhe një urë 20 metra, me sistemimin e kanalizimit të ujërave të zeza dhe ujërave të bardha, me trotuare, me ndriçim.
“Edhe kjo është rruga e vogël e Arbrit. Natyrisht është një gjë shumë e rëndësishme për qytetin dhe do ta lehtësojnë shumë pjesën tjetër që nuk do ketë më gjithë kamionët deri te shtëpia”,deklaroi kryeministri Rama.
2-Rruga Arras
Një tjetër kantier në Qarkun e Dibrës është ai i rrugës Arras-Kastriot. Rruga lidh banorët e 20 fshatrave dhe do të shkurtojë kohën e lëvizjes nga 2 orë aktualisht në 20 minuta. Impaktin e saj, në radhë të parë do ta ndjejnë fermerët që duke lehtësuar daljen e tyre në treg, ulin koston e prodhimit.
Punimet konsistojnë në zgjerimin e trasesë ekzistuese, ndërtimin e kanaleve anësore të rrugës, nënshtresat dhe shtresat asfaltike dhe do jetë e pajisur me sinjalistikë vertikale dhe horizontale. Rikonstruksioni i rrugës deri në Kastriot, aty ku do të rindërtohet muzeu i Skënderbeut, sëbashku me Rrugën e Arbrit do të rivlerësojnë potencialin turistik të kësaj treve, duke i kthyer edhe bukuritë natyrore të saj në funksion të zhvillimit ekonomik.
“Ky është dhe viti i Skënderbeut që fillon në 28 Nëntor deri në 28 Nëntorin e ardhshëm dhe në këtë mënyrë i japim edhe një destinacion turistik dhe paralelisht krijojmë kushte për zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë rurale, krijojmë kushte për nxitjen e mëtejshme të prodhimit, sepse tani kostot ulen jashtëzakonisht shumë dhe mundësia e daljes në treg bëhet e thjeshtë,” – theksoi Kryeministri.
3-Unaza Klos
Unaza e Klosit është një tjetër kantier në përfundim në Qarkun e Dibrës, e cila do të shmangë trafikun dhe kalimin e mjeteve të tonazhit të rëndë brenda në qytet. Unaza do të ketë trotuare, një brez pemësh, do të jetë e pajisur me sinjalistikë vertikale dhe horizontale dhe ndriçim.
4-Ura Komsi
Mungesa e një ure në njësinë administrative Komsi të Qarkut të Dibrës ishte kthyer në kalvarin e përditshme për fëmijët që duhet të shkonin në shkollë, pleqtë dhe të sëmurët që duhet të shkonin në qendrën shëndetësore për të marrë shërbim.
Ura u bë e mundur, falë Forcave të Armatosura të Shqipërisë. Kryeministri Rama, i shoqëruar nga ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaxhçka vizituan fshatin Komsi, ku sapo është vënë në përdorim ura.
“Ura që i dorëzojmë sot, 1200 banorëve të Muzhakës dhe fshatrave përreth është një urë që i vjen në ndihmë shumë komunitetit, i vjen në ndihmë mbi 300 nxënësve të kësaj zone dhe i vjen në ndihmë banorëve për të aksesuar shumë më kollaj arteriet kryesore, për të komunikuar më kollaj mes fshatrave, por edhe për të aksesuar qendrat shëndetësore. Kjo është një nga 9 urat që ne kemi bërë në Qarkun e Dibrës” , u shpreh ministrja Olta Xhaçka.
