Featured
Pas një viti anulohen procedurat për shtratin e lumit “Ibër” në Mitrovicë

Rregullimi i shtratit të lumit “Ibër” në Mitrovicë nuk do të bëhet edhe një kohë të papërcaktuar. Kjo pasi Kuvendi Komunal i Mitrovicës ka anuluar procedurat e prokurimit, shkruan Ndërtimi.info.
Procedurat e anuluar më 22 maj 2019, kishin filluar gati një vit më herët, saktësisht njoftimi për kontratë ishte bërë më 08 qershor 2018.
Arsyeja e anulimit të procedurave po del të jetë buxheti.
“Të gjithë tenderët e përgjegjshëm përmbajnë çmime të cilat në mase substanciale e tejkalojnë buxhetin e autoritetit kontraktues për aktivitetin e prokurimit”, thuhet në njoftimin për anulim.
Rregullimi i shtratit të këtij lumi ishte parashikuar të kushtonte 1 milion e 850 mijë euro, që do të bashkëfinancohet nga Komuna e Mitrovicës dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Ndërkaq, për këtë kontratë kishin ofertuar gjashtë operatorë ekonomikë./Ndërtimi.info/
