Aktuale
Parku i Bulevardit në Tiranë, 6 herë më i madh se parku Rinia [video]
Bashkia e Tiranës ka bërë një dëgjim publik për parkun qendror të Bulevardit të Ri që do të ketë sipërfaqe 6 herë më të madhe se Parku Rinia.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj deklaroi se për herë të parë është gati një projekt i plotë jo vetëm për ndërtimin e bulevardit të ri, por edhe i zhvillimit të të gjithë zonës.
“Për herë të parë ne kemi projektimin, jo vetëm të një projekti infrastrukturor si bulevardi, por të një lagje të tërë, të një mëhalle të tërë të Tiranës që deri në përfundimin e saj do të ketë rreth 100 mijë banorë. Çështja është, a do funksionojmë si qytet gjithmonë vetëm në kushte të një emergjence apo ndoshta do fillojmë të mendojmë pak afatgjatë? Të marrim pak frymë 3-4 vjet në advancë kur vjen puna për të themeluar një lagje të re të Tiranës. Unë besoj se për bashkinë tonë është edhe një nder, do lëmë një gjurmë në qytet”, tha Veliaj.
Veliaj deklaroi se ka qenë një punë 2-vjeçare për të studiuar me detaje gjithçka për përmirësimin dhe zhvillimin e saj. Duke u ndalur në Planin Vendor për zhvillimin e kësaj zone të re, Kryebashkiaku Veliaj deklaroi se në mbledhjen më të parë të Këshillit Bashkiak do të miratohet edhe pjesa e fundit e këtij plani.
“Kishte vetëm një pjesë bosh, si ato lojërat që bëjnë fëmijët me puzzle ku duhet të vendosësh copat. Kjo ishte e vetmja copë e pavënë në plan, të cilën ne sërish me drejtimin e Aldrinit, duhet të mbledhim Këshillin Bashkiak këtë muaj, për të aprovuar këtë pjesë të fundit të planit tonë urbanistik. Në të cilin për herët të parë kemi deri në detaje, se cili është këndi i dritës dhe këndi i ajrosjes për secilën ndërtesë, edhe për secilën godinë”, u shpreh ai.
Kreu i Bashkisë nënvizoi se projekti i “Bulevardit të Ri” do të jetë një gjenerues të ardhurash për bashkinë. “Projekti i “Bulevardit të Ri” së pari duhet të jetë një gjenerues të ardhurash për bashkinë, me të cilën, e para e punës mund të paguajmë kredinë për gjithë këtë punë, por sigurisht të kemi edhe para për financime të tjera”, tha ai, teksa sqaroi edhe çështjen ndërtimeve në kryeqytet.