Aktuale
Parathënie e librit “Reflektime të një qytetari arkitekt”

“Duhet m’e qitë në shesh
problemin arkitektural,
E jo me e mbajt
n’rreth profesional!
Sepse Arqitektura âsht
veprimtari shoqnore
Dhe si e tillë,
mundet,
duhet
me u kritikue.’’
“Poemza e arqitekturës”, Bashkim Fehmiu, 1954, Beograd
Tekstet që keni para vetes, nuk janë shkruar që të botohen si të përmbledhura. Ato vijnë si një reagim i atypëratyshëm ndaj ngjarjeve të përditshme, shumica nga fusha e arkitekturës, urbanizmit, urbanitetit, edukimit e kulturës, ngjarje të cilat ndoshta edhe si rezultat i profilit profesional, nuk kanë kaluar pa vëmendjen time. Ato janë shkruar në kohë të ndryshme, ashtu siç edhe ngjarjet kanë ndodhur si refleksion direkt kritik, pozitiv apo negativ, ndaj këtyre ngjarjeve.
I shqetësuar nga heshtja pothuajse mortore e reagimit, reflektimit, kritikës dhe analizës mbi zhvillimet arkitekturore dhe urbane në hapësirat tona, në mungesë edhe të një reviste apo platforme digjitale kredibile si arenë e mirëfilltë e debatit profesional, shumica e teksteve janë botuar nëpër gazetat ditore (pjesa dërmuese e tyre në të përditshmen “Koha Ditore”, shtojca për kulturë) si dhe platforma të ndryshme elektronike.
Tekstet janë më shumë të karakterit publicistik se sa të ngushtë profesional, e aq më pak shkencor (me përjashtim të hulumtimeve mbi profesor Bashkim Fehmiun). Duke besuar fortë se arkitektura nuk i përket vetëm arkitektëve, urbanistëve, inxhinierëve, dhe gjithë atyre profesioneve tjera që përfshihen drejtpërsëdrejti në bërjen e saj, këto tekste janë shkruar gjithmonë duke iu drejtuar publikut të gjerë, me qëllim të ngritjes së vetëdijes së përgjithshme qytetare mbi impaktin që arkitektura ka në jetën e secilit prej nesh.
Arkitektura, siç thotë edhe profesori Bashkim Fehmiu tek “Poemza e arqitekturës” (1954), duhet të jetë publike, e diskutueshme, e gjykueshme prej gjithsecilit, sepse i përket gjithsecilit. Vargjet e cituara më sipër nga kjo poemzë si parathënie e parathënies, vijnë jo vetëm si një homazh ndaj profesorit, arkitektit, urbanistit dhe modernistit të parë kosovar, por edhe si një frymëzim i drejtpërdrejtë në lindjen e këtyre teksteve.
Ideja e botimit të këtyre teksteve të përmbledhura në një vëllim, ka për synim dy qëllime. Së pari, duke sjellë në mënyrë kronologjike disa prej ngjarjeve të rëndësishme arkitekturore, lexuesit i jepet mundësia që edhe njëherë të reflektojë mbi çështjet e ngritura. Në këtë mënyrë, përmes ngritjes së vetëdijes së përgjithshme qytetare, të shmanget mundësia e përsëritjes së lëshimeve dhe gabimeve të bëra në të ardhmen. Së dyti, kjo jep mundësi që qëndrimet e shprehura publikisht t’i nënshtrohen gjykimit publik nga ana e secilit, për të vlerësuar vazhdimësinë logjike të të gjykuarit të autorit mbi bazën e principeve të caktuara për çështjet e trajtuar. Mendoj se një gjykimi të tillë do të duhej t’i nënshtrohej çdo qëndrim publik i së shkuarës, për të vlerësuar mbi kredibilitetin e gjykimeve të tij në të ardhmen. Kjo e shton përgjegjësinë e mendimit publik dhe rrjedhimisht rritë cilësinë e tij.
Të qenit arkitekt, sa do që të mundohesh të mbetesh brenda kufijve teorik, nuk mund t’i ikësh dot tundimit për t’u shprehur grafikisht. Si rrjedhojë e kësaj, një seri reflektimesh vijnë edhe përmes skicave, karikaturave, vizatimeve e kolazheve, si produkt vizual i qëndrimeve të brendshme teorike. Fushat që prekin këto reflektime, janë përtej arkitekturës në kuptimin e saj të ngushtë. Ato mëtojnë të zbërthejnë intratekturën e shumë dukurive që shqetësojnë shoqërinë e sotme, ose të paktën më shqetësojnë mua personalisht.
Arbër Sadiki
20.04.2017, Prishtinë
