Aktuale
Parashihet rrënimi i Shtëpisë së Kulturës në Zhur, që për 10 vjet s’u funksionalizua [video]

Është objekti më i madh dhe thuajse më i bukuri në fshatin Zhur. I destinuar për zhvillimin e aktiviteteve të ndryshme kulturore e edukative, por asnjëherë i përdorur. Shtëpia e Kulturës në Zhur ka një histori një degateshe, me një milionë euro të investuara e shumë probleme.
Ky objekt nuk ka arritur asnjëherë të funksionalizohet, që nga viti 2009 por dëmtimet e kanë përfshirë. Si nga jashtë ashtu edhe nga brenda objekti është dëmtuar dukshëm. E, për këtë do të duhet që ende të investohet në të, pavarësisht se disa herë ishte intervenuar më punë shtesë, shkruan Ndërtimi.info.
Banorët e Zhurit këtë objekt po e konsiderojnë turp. Labinot Sope thotë se nuk e dinë se çfarë po bëhet me këtë objekt.
Ndërsa, kryetari i fshatit, Behar Begaj merr parasysh edhe fundin më të keq për këtë objekt. Ai, thekson se nëse është nevoja duhet të rrënohet objekti, pasi sipas tij edhe mund të rrëzohet e ta zë ndonjë banor.
Përveç dëmtimeve që shihen më sy, po vihet në dyshim edhe statika e këtij objekti.
Nënkryetari i Komunës së Prizrenit, Eshref Memaj thotë se po punohet në lidhje me çështjen e kësaj shtëpie të kulturës dhe se rrënimi duhet të jetë opsioni i fundit.
Në anën tjetër punë rreth këtij objekti ka dal edhe për organet e drejtësisë. Prokuroria në Prizren tashmë ka nisur një hetim, që sipas tyre së shpejti do të dihen rezultatet e këtij hetimit.

E, derisa organet të dalin me rezultate e të përfundojnë disa procedura zhurjanët do të vazhdojnë ta shohin këtë shtëpi kulture vetëm si një objekt në fshat, pa pasur mundësi që ta shfrytëzojnë./Ndërtimi.info/
