Aktuale
Pallatet e dëmtuara nga tërmeti: Firmat ndërtuese nisin punën për rikonstruksionin e tyre
Tërmeti solli dëme të konsiderueshme në Durrës, ku shumë pallate e banesa u shpallën të pabanueshme ndërsa pjesa tjetër me dëmtime të vogla po u nënshtrohen riparimeve.
Firmat ndërtuese të pallateve të dëmtuara kanë marrë leje nga bashkia e Durrësit dhe po kryejnë ndërhyrjet nëpër godina, duke punuar me intensitet të lartë. Agjencia Telegrafike Shqiptare ishte në Durrës për të parë nga afër rikonstruksionet që po kryhen në objektet e dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit, në pallatin 11-katësh në lagjen nr 17, të rrugës “Dalip Peza”si dhe në godinën 12-katëshe të lagjes nr.12 në rrugën “Abaz Çelkuka”. Dem Mena, inxhinier i njërës prej firmës së ndërtimit të pallatit 11, u shpreh për ATSH-në që prej 10 ditësh po punohet me intensitet për të përfunduar sa më shpejt rikonstruksionin.
“Kemi marrë leje në bashki sipas standardeve dhe po vazhdojmë riparimet. Pallati përfundon për 3 muaj, ka filluar punën para 10 ditësh. Për 3 muaj do të përfundojë riparimi sipas standardeve. Ky pallat ishte me nivelin e dëmtuar DS2”, -u shpreh inxhinieri. Nga ana e tyre punëtorët thanë se ndërhyrjet në godina janë drejt përfundimit. “Tërmeti ka dëmtuar objektin në fjalë. Kemi hapur poret ku ka bërë dëmtimet tërmeti. I kemi mbushur me shkumë profesionale që është posaçërisht për këtë punë dhe kemi bërë tamposjen e murit në mënyrë të rregullt. Aktualisht kemi mbaruar 6 kate restaurim Godina është drejt përfundimit”, thanë ata./Burimi: ata