Aktuale
Paguan nga 1100 euro për m2, banorët ankohen për banesat e lëna të pa përfunduara

Barlet Berisha është njëri nga banorët e kompleksit banesor me tri ndërtesa, të ndërtuara nga kompania “Tregtia” në “Lakrishtë” të Prishtinës.
Berisha, që ka pak më shumë se një vit që është zhvendosur në këtë kompleks, është i pakënaqur me investitorin, pasi thotë se ai shumë punë i ka lënë në gjysmë, raporton emisioni 038 i KTV-së.
Problem për të përbën mospërfundimi i rregullimit të rrugës.
Po ashtu, një mur i lënë në gjysmë, po vlerësohet i rrezikshëm për banorët, sidomos për fëmijët.
Banorët që thonë se kanë paguar shtrenjtë, rreth 1 mijë e 100 euro për metër katror, ankohen edhe për parkingjet.
Mirëpo, kompania thotë se çdo ndërtim i cili ka qenë pjesë e projektit është përmbushur.
Në një përgjigje me shkrim, kompania ka thënë se kanë kërkuar nga komuna e Prishtinës ta rregullojë rrugën, pasi është në kompetencë të tyre.
“Shtrimi apo asfaltimi i rrugëve që ju i potenconi, është në kompetencë të Komunës së Prishtinës që ta rregullojë infrastrukturën në përgjithësi për të gjithë banorët dhe qytetarët e Prishtinës, e jo vetëm të kompleksit tonë. Andaj, në këtë drejtim, vërejtjet apo kërkesat duhet të adresohen te të njëjtit. Ne si kompani kemi bërë kërkesë në Komunën e Prishtinës, po ashtu, edhe banorëve ua kemi dërguar dokumentet që edhe ata si grup të kërkojnë të drejtën e tyre në institucionin përkatës. Edhe pse rruga nuk është përgjegjësi e jona, ne para katër ditësh e kemi shtruar me zhavorr që banorët ta kenë lëvizjen më të lehtë”, është thënë nga kompania “Tregtia”.
Ndërsa sa i përket garazheve, kompania thotë se në para-kontratën e shitblerjes nuk është dhënë ndonjë çmim për shfrytëzimin e tyre.
Në përgjigje tutje, thuhet se shuma e qirasë mujore për garazhet është më e ulëta në Prishtinë.
Kompania nuk ka treguar nëse ka përfunduar procesin që deri tash është njohur si “pranim teknik”, e i cili përfshin inspektimin final dhe certifikatën e përdorimit të një objekti të ri kolektiv.
Ajo është arsyetuar, duke thënë se kjo është çështje e brendshme e tyre.
Ky proces vlerësohet shumë i rëndësishëm para lëshimit për përdorim, megjithatë shumë objekte në kryeqytet lëshohen për banim, pa u pajisur me certifikatë banimi.
Drejtori i Inspektoratit, Adonis Tahiri, ka thënë se gjatë javës së kaluar kanë filluar inspektimet në terren, për 13 lëndë që kanë mbetur.
Pas kësaj, sipas Tahirit, komisioni për inspektim final do të verifikojë dokumentacionin për secilën lëndë.
Në anën tjetër, arkitektët thonë se komuna është vonuar për të vënë rend në pajimin e kompanive me certifikata të banimit.
Në Prishtinë llogaritet se janë rreth 45 mijë objekte pa leje dhe, rrjedhimisht, këto objekte nuk mund të pajisen me certifikatë të banimit.
Për ta përmirësuar këtë situatë, arkitekti Hekuran Kuçi thotë se nevojitet shtimi i numrit të inspektorëve
