Aktuale
Pa respektuar procedurat, Drenasi vazhdon për 35 vjet një kontratë për pronë komunale

Komuna e Drenasit po ndryshon kontrata të shfrytëzim të pronave komunale pa i respektuar procedurat e për ankandin publik. Një e tillë është zgjatur për 35 vjet dhe është ulur çmimi vjetor për 3 mijë euro, raporton Ndërtimi.info
Kjo komunë në një rast për shfrytëzimin e pronës së paluajtshme kishte kontratë fillestare me përfituesin për 10 vite, më pagesë vjetore 4,000€, ndërsa ka lidhur kontratë të re me të cilën ka ndryshuar kushtet e kontratës, duke zgjatur afatin për 45 vite me pagesë vjetore 1,000€.
Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se kontrata ishte lidhur bazuar në vendimin e Kuvendit Komunal (KK) për pronën që përcakton sipërfaqen prej 0.15ha (1,500m2), përderisa kontrata e re ishte e lidhur për 2,000m2.
“Komuna, nuk ka ofruar dëshmi për mbajtjen apo jo të konkursit publik për përzgjedhjen e ofertës më të favorshme me të cilin është lidhur kontrata”, thuhet në raportin e ZKA-së.
ZKA vlerëson se mos-respektimi i procedurave për mbarëvajtjen e ankandit publik ka ndikim në humbjen financiare pasi çmimi në kontratën e re nuk e justifikon ndryshimin jo normalisht të ulët të çmimit të kontratës së re.
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci rekomandohet të sigurojë se lidhja e kontratave për shfrytëzimin e pronës së paluajtshme të komunës mbështetet në bazë ligjore, njëkohësisht, të rishqyrtoj kontratën dhe të siguroj se janë ndjekur të gjitha procedurat e përzgjedhjes sipas rregullores përkatëse dhe vendimit të Kuvendit Komunal./Ndërtimi.info/
