Prokurim Publik
OSHP-ja e cilëson diskriminues tenderin për lumin Mirusha
Tenderi për lumin Mirusha është hartuar më mënyrë që të favorizojë kompani të caktuara.
Një gjë të tillë e ka konstatuar Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP). Ky organ ka kërkuar nga zyra komunale e prokurimit të bëjë ndryshimet e nevojshme në dosjen e tenderit “Krijimi i hapësirave të gjelbra dhe rregullimi i platos mbi lumin Mirusha-Veri”, ngase në mënyrën siç është përgatitur kufizon konkurrencën duke i diskriminuar operatorët e tjerë ekonomikë, shkruan sot Koha Ditore.
Vlera e parashikuar e kontratës për këtë projekt është 924 mijë euro e 809 euro. Nga Komuna është kërkuar që të mos vendosë standarde të cilat nuk përkojnë me aktivitetin e prokurimit. OSHP-ja për këtë lëndë ka angazhuar ekspertin e tyre, meqë për këtë aktivitet të prokurimit, të cilin e kishte shpallur Komuna e Gjilanit, kishte pasur ankesa. OSHP-ja ka vlerësuar se ankesa e kompanisë “Bioagro SHPK” është pjesërisht e bazuar, por ka gjetur se Komuna e Gjilanit në këtë tender ka shkelur rregullat ligjore të prokurimit publik. Sipas tyre, Komuna në dosjen e tenderit ka fiksuar kapacitetin e pajisjeve teknike që duhet të plotësohen nga operatorët ekonomikë, të cilët konkurrojnë në këtë tender e cila kërkesë është në kundërshtim me rregullat.
”Komuna e Gjilanit ka aplikuar kërkesa të cilat bien ndesh me parimet dhe rregullat ligjore për prokurimin publik në fuqi. Rrjedhimisht është hartuar dosja e tenderit që favorizon ose diskriminon kundër një ose më shumë operatorë ekonomikë potencialë. Kërkesat e AK-së, kundrejt pajisjeve teknike (p.sh. kërkesa për kamion kiper 3m3 për vende të ngushta dhe “bager 5t me zinxhirë” apo “bager 1.7t” janë kërkesa tipike që favorizojnë apo diskriminojnë operatorët ekonomikë të caktuar dhe si të tilla bien ndesh me nenin 7 dhe 27 të Ligjit për prokurimin publik. Autoriteti kontraktues mund të përcaktojë minimumin, por edhe maksimumin e kërkesës dhe jo të fiksojë vlerën e kapacitetin e makinerisë”, thuhet në këtë vendim.