Aktuale
Organizatat jo-qeveritare reagojnë ndaj lejes për ndërtim në Qendrën Historike të Prizrenit
Instituti i Kosovës për Mbrojtje të Monumenteve ka dhënë leje që afër Qendrës Historike të Prizrenit të ndërtohet një kompleks banesor afarist, gjashtë katësh me 10 tetor të këtij viti. Kështu ka njoftuar organizata Ec Ma Ndryshe, e cila thotë se bashkë me disa organizata tjera kanë nënshkruar reagimin për të shprehur shqetësimin në lidhje me shkatërrimin e vlerave të trashëgimisë kulturore në Prizren.
“Instituti i Kosovës për Mbrojtje të Monumenteve në Prishtinë me Vendim të datës 14.10.2019 ka aprovuar projektin ideor të kompleksit afaristo banesor me etazhitet B+P+5. Lokacioni i projektit gjendet në afërsi të Qendrës Historike të Prizrenit, gjegjësisht në Zonën e Dytë të Mbrojtjes. Për më tepër lokacioni i ndërtimit është në kuadër të Kompleskit të Nënkalasë, Pantelisë dhe Potokmahallës (nr.rendor 2983) dhe në afërsi të Postës së parë të qytetit (nr.rendor 775) dhe Kazermës së Vjetër – Internatit (nr.rendor 4204), të trija këto me numër rendor të cekur dhe që janë pjesë e Listës së trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përkohshme të MKRS-së”, thuhet në reagim.
Sipas Ec Ma Ndryshe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Instituti për Mbrojtjen e Monumentetve dhe Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore duhet të rishqyrtojnë vendimin e dhënies së lejes. Gjithashtu, ato kanë rekomanduar që në fillim të bëhen hulumtimet e zonës për shkak se çdo gërmim do ta shkatërronte zbulimet potenciale në ato lokalitete.
“Shkaku i kompleksitetit të lokacionit me shtresime të periudhave të ndryshme kulturore (Romake, Otomane, Moderne) ne fuqimisht rekomandojmë që fillimisht të kryhen hulumtimet dhe studimet e duhura paraprake (përfshi këtu dhe gërmimet arkeologjike) sepse çfarëdo ndërtimi i ri mund të degradojë zbulimet potenciale e rrjedhimisht dëmtim të mëtutjeshëm të karakterit historik të lokacionit”, thuhet në njoftimin e Ec Ma Ndryshe.
Nga Drejtoria e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor të Komunës së Prizrenit është kërkuar që të mos marrin hapa të ngushtëm së lejes së ndërtimit sepse siç thuhet në njoftim “humbja e vlerave të trashëgimisë është një proces i pakthyeshëm”.