Aktuale
Organizatat buxhetore injorojnë adresimin e rekomandimeve në raportet e auditimit

Ligji për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës, 05/L-055, obligon organizatat buxhetore të audituara, që t’i dorëzojnë Zyrës Kombëtare të Auditimit planin e veprimit se si do t’i adresojnë rekomandimet e dhëna në raportin e auditivit, thuhet në një komunikatë të Zyrës Kombëtare të Auditimit.
Zyra Kombëtare e Auditimit në fund të vitit 2017 ka publikuar katër raporte të auditimit të performancës në të cilat janë dhënë rekomandime të dobishme për përmirësimin e programeve qeveritare në fushën e qeverisjes lokale, administrimit të burimeve njerëzore, shëndetësisë dhe në fushën e gjyqësorit. Megjithatë, një numër i vogël i organizatave buxhetore ka dërguar planet e veprimit për implementimin e rekomandimeve të dhëna.
Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, tërheq vëmendjen e publikut dhe të atyre që janë të ngarkuar me llogaridhënie se mospërmbushja e obligimeve ligjore, përkatësisht mospërgatitja e planeve të veprimit për adresimin e rekomandimeve tregon mungesën e vullnetit dhe llogaridhënies institucionale në udhëheqjen e aktiviteteve/programeve qeveritare në mënyrë efektive, efikase dhe ekonomike.
Organizatat buxhetore që ende nuk e kanë përmbushur obligimin ligjor dhe nuk kanë dorëzuar planet e veprimit për adresimin e rekomandimeve të dhëna në raportet e auditimit të performancës janë:
Ministria e Administratës Publike, Ministria e Kulturës Rinise dhe Sportit, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ministria e Bujqësisë, komunat Prishtinë, Ferizaj, Pejë, Gjilan dhe Suharekë – për “Marrëveshjet për shërbimet e veçanta dhe kontratat e punës për detyra specifike”, i publikuar më datën 15 nëntor 2017;
Komunat Pejë, Ferizaj, Mamushë, Junik, Obiliq dhe Graçanicë – për “Procedurat dhe kontrollet në sistemin për menaxhimin e performancës komunale”, i publikuar më datën 16 nëntor 2017;
Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Gjykata Themelore e Prishtinës, Pejës dhe Gjilanit – për “Efikasiteti i menaxhimit të lëndëve civile në Gjykatat Themelore”, i publikuar me datën 22 dhjetor 2017; dhe
Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Administratës Publike, Ministria e Punëve te Brendshme, Shërbimi Spitalor Klinik Universitar, Komuna e Prishtinës, Instituti Kombëtarë i Shëndetit Publik – për “Efikasiteti dhe efektiviteti në implementimin e sistemit informativ unik të integruar shëndetësor”, i publikuar me datën 28 dhjetor 2017.
