Ndërtim
Opozita nuk voton për Aeroportin e Vlorës

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar sot pas votës kundër të anëtarëve të opozitës në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese për ndërtimin e aeroportit të Vlorës, e cila do të hap vende pune dhe do të ketë ndikim në ekonominë e vendit.
“Po me aeroportin e Vlorës çfarë kanë që votojnë kundër? 100 mln EU investim, 1000 të punësuar të përhershëm super impakt ekonomik! JO duan çizme”, shkruan Rama.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjetikës, Damian Gjiknuri, shprehet se aeroporti i Vlorës do të jetë financim privat prej 100 milionë euro, që do të sjellë një potencial të madh zhvillimi dhe punësimi jo vetëm për Vlorën por edhe për qytetin e Fierit, pasi nga ky projekt pritet të hapen 1000 vende të reja pune.
“Aeroporti do të sjellë një potencial shumë të madh zhvillimi, jo vetëm për zonën e Novoselës, por edhe për bashkinë e Vlorës, bashkinë e Fierit sepse ne e dimë që krijohet një zinxhir vlere ekonomike rreth aeroportit dhe cila është e matshme. Do të krijojë vende pune, jo vetëm në fazën ndërtimore, por jam i bindur që një aeroport i këtyre përmasave, që mendohet një investim rreth 100 milionë euro, do të ketë në mënyrë permanente në këtë zonë rreth 1 mijë vende të reja pune”.
Në komisionin parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese ditën e hënë u shqyrtua ky projekt kaq i rëndësishëm, ku opozita votoi kundër me pretendimin se ky projekt nuk ofron transparencën e duhur.
Komisioni i Veprimtarive Prodhuese e miratoi vetëm me votat e shumicës projektligjin që autorizon qeverinë për të negociuar një kontratë koncesionare për ndërtimin e një aeroporti të ri ndërkombëtar në Vlorë.
