Aktuale
Opozita në Gjilan kërkon zgjerimin e rrugës nga qyteti në drejtim të fshatit Malishevë
Investimet në zgjerimin e rrugës në hyrjet dhe daljet e qytetit në Gjilan po vlerësohet se nuk ka kontribuar në zgjidhjen e problemit që kanë qytetarët me tollovinë në trafik ngase qarkullimi i automjeteve vështirësohet në qendër të qytetit tek rrethrrotullimi në afërsi me objektin e komunës. Gjersa këto vështirësi janë të theksuar edhe në pjesë të ndryshme të qytetit, raporton Koha Ditore.
Kështu vlerësojnë dy subjektet opozitare të cilat kërkojnë nga pushteti komunal që të vazhdohet me investimet në infrastrukturën rrugore mirëpo të vazhdohet me zgjerimin e rrugëve brenda qytetit. Opozita e cila përbëhet nga Lëvizja (VV) por edhe nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ndajnë të njëjtin mendim se duhet të investohet në zgjerimin e rrugës e cila shtrihet në afërsi me kazermën e Forcës së Sigurisë së Kosovës e cila është edhe nyje e rëndësishme e qarkullimit meqë traseja shtrihet deri në fshatin Malishevë. Opozita vlerëson se infrastruktura e dobët në këtë segment rrugor është duke shkaktuar tollovi në trafik.
Këshilltari komunal nga radhët e PDK-së, Riza Abdyli deklaron se pushteti komunal duhet të implementojë projekte të cilat kanë impakt real në terren. Ai thotë se nuk mjafton vetëm zgjerimi i hyrjeve dhe daljeve të qytetit.
“Kemi ndërtuar dy rrugë me katër korsi mirëpo planifikimi për zhbllokimin e trafikut nuk është bërë në mënyrën e duhur . Ndajmë mendimin se është dashur të vendoset si prioritet ndërtimi i atyre rrugëve alternative që lidhen njëra me tjetrën. Shembull rruga për në Malishevë e shohim se ka nevojë të bëhet një zgjerim. Tash nuk e di se kush e ka projektuar rrethrrotullimin para FSK-së mirëpo mendoj se është bërë gabimisht sepse ka qenë e nevojshme që të ndërtohet tek rruga e Malishevës dhe me këtë do të kishim bërë një zgjidhje të mirë” thotë ai.
Deklaron se qyteti nuk është duke arritur që të përballojë fluksin e automjeteve dhe në këtë mënyrë krijohen edhe kolonat të cilat shkaktojnë nervozizëm tek pjesëmarrësit në komunikacion.
“Gjilani ka një qendër me fyt të ngushtë që nuk mundet të përballojë fluksin e automjeteve. Ata të cilët kanë bërë projekte mendoj se kanë realizuar projekte të ngutshme. Ne kemi zemrën e qytetit të bllokuar” thotë Abdyli.
Kurse këshilltari komunal nga radhët e VV-së, Nevzad Isufi deklaron se pushtetit komunal i mungojnë projektet afatgjate dhe në këtë mënyrë e kanë të vështirë të përcaktojnë edhe prioritetet sa i përket investimeve.
“Nuk është punuar për një zgjidhje afatgjatë dhe kemi të njëjtin problem. Është bërë vetëm një zgjerim në drejtim të Dardanës dhe në drejtim të Ferizajt por që duhet të kthehemi përsëri në fytin e ngushtë ku kemi një rrugë dy kaheshe. Është dashur të gjendet një zgjidhje në zgjerimin e rrugëve të cilat janë në qytet” thotë Isufi.
Ndërkaq në anën tjetër komunarët deklarojnë se ata do të investojnë në zgjerimin e rrugës që fillon në afërsi me kazermën e FSK-së në drejtim të fshatit Malisheve. Drejtori i urbanizmit në këtë komunë, Bekim Bajrami deklaron se fillimisht ata do të investojnë në trajtimin e ujërave të zeza dhe pastaj në zgjerimin e segmentit rrugor. “Është në planet tona dhe në prioritetet tona që të mbulohet ajo pjesë dhe të zgjerohet rruga. Dhe në këtë mënyrë do të organizohet dhe kur flasim për trafikun në qendër të qytetit duhet të ketë parasysh sepse banorët e zonës po i përdorin veturat dhe kjo ndikon shumë. Sa i përket rrethrrotullimeve të cilat gjenden në qytet tash secili i ka pikëpamjet e veta dikush mendon se ato janë të mëdha dikush i vlerëson si të vogla e dikush si të papërshtatshme. Mirëpo të gjitha janë brenda standardeve” ka thënë ai.