Aktuale
Opozita kërkon përgjegjësi për djegien e çerdhes që nuk u funksionalizua kurrë
Zyrtarët opozitarë të Komunës së Podujevës po kërkojnë përgjegjësi nga komunarët për djegien e objektit të çerdhes që nuk u funksionalizua kurrë. Ky objekt, që ishte ndërtuar menjëherë pas luftës në rrugën “Skëndebeu” (në drejtim të fshatit Dumnicë), është përfshirë nga flakët mbrëmjen e së shtunës. Shkaktarët e këtij zjarri që ka dëmtuar kulmin e kësaj çerdheje ende nuk dihen. Këshilltari nga radhët e PDK-së, Rafet Llapashtica, ka thënë se do të kërkojnë raport për këtë çështje në seancën e radhës, shkruan sot Koha Ditore.
“Vazhdimisht Sektori i Arsimit në Komunën e Podujevës është përcjellë me probleme dhe vështirësi, si dhe papërgjegjësi nga ana e drejtuesve të këtij sektori, e sidomos nga ana e drejtorëve në vazhdimsi të Drejtorisë së Arsimit. Djegia e objektit të çerdhes ditën e shtunë pa u futur ende në funksion tregon për mosseriozitetin mbikqyrës të kryerjes së punëve këtu në këtë objekt”, është shprehur Rafet Llapashtica.
Sipas tij, e mira e kësaj është që gjatë kohës së zjarrit nuk ka pasur brenda njerëz.
“Mirë që aty brenda s’ka pasur fëmijë dhe objekti ishte i zbrazët dhe s’ka pasur ndonjë humbje edhe të jetëve të njerëzve. Nuk ka asnjë përgjigje zyrtare rreth rastit nga ana e zyrtarëve komunalë. Ne do të kërkojmë sqarim rreth këtij rasti dhe një raport në seancën e parë të radhës në Kuvend”.
Në anën tjetër, zyrtarët komunalë kanë thënë se në këtë objekt ka pasur zjarrvënie. Për këtë zëdhënësi Nazmi Elezi ka thënë se është duke u marrë Policia.
“Komuna e Podujevës, respektivisht Drejtoria e Arsimit, është informuar se në objektin në ndërtim, i dedikuar për çerdhe, ka pasur zjarrvënie me ç’rast është dëmtuar kulmi i objektit. Me rastin është duke u marrë Policia e Kosovës, e cila është duke zhvilluar hetimet”, ka thënë Elezi. “Përndryshe, çështja e finalizimit të ndërtimit të atij objekti ka mbetur peng i një kontesti gjyqësor në mes operatorit të mëhershëm me AKP-në. Sapo të zgjidhet ky kontest gjyqësor Komuna do të zhvillojë procedurat për vazhdimin e punimeve në ndërtimin e çerdhes në atë lokacion”.