Aktuale
Opozita kërkon komision rreth pakënaqësive nga emërtimet e rrugëve
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2019/05/fotografi-te-shenjave-lumishte.jpg)
AKR-ja, LDK-ja dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë kërkuar nga ekzekutivi i Komunës që të fillojë me procedurat për themelimin e komisionit, i cili do të marrë parasysh vërejtjet e banorëve në lidhje me emërtimet e rrugëve.
Valon Maliqi nga radhët e AKR-së, ka theksuar se procesi i emërtimit të rrugëve, i cili daton nga viti 2014 nuk ishte transparent dhe, sipas tij, në këtë proces janë bërë gabime thelbësore të cilat duhet të korrigjohen nga komisioni i ri. Ai thotë se për emërtimin e rrugëve nuk janë konsultuar banorët dhe se me vendosjen e tabelave me emërtimet e reja kanë filluar edhe pakënaqësitë.
“Shembull kanë përdorur shkurtesat, që nuk është e lejuar, Brig për Brigadat , Zona Operative, kurse ata e kanë shkruar Z.O. Dhe këto janë bërë nga komisioni i atëhershëm edhe unë kam qenë anëtar i komisionit në vitin 2014, mirëpo është kryetari i komisionit i cili ka vendosur për emërtimet pa u konsultuar me qytetarët. Tash ka shumë ankesa nga qytetarët të cilët janë të shqetësuar për emrat të cilët janë imponuar. Duhet të formohet një komision nga kryetari i Komunës dhe mandej ata emra të cilët do të propozohen dërgohen në Kuvendin Komunal dhe Kuvendi duhet t’i aprovojë”, ka thënë ai, raporton ktv.
Sipas tij, komisioni i ri ka për detyrë që të takohet me banorët në vendbanimet e kësaj komune dhe t`i trajtojë ankesat dhe sugjerimet e tyre. “Shumica e emërtimeve janë në kundërshtim me ligjin dhe me udhëzimin administrative dhe kryetari ka të drejtë që të formojë komisionin. Komisioni do të dalë në terren dhe do të trajtojë ankesat e banorëve dhe në atë komision duhet të ketë një historian dhe një gjuhëtar, sepse emërtimet kanë edhe probleme drejtshkrimore. Dhe Agjencia Kadastrale për një periudhë të shkurtër kohore i bënë të gjitha korrigjimet dhe vendosen tabelat e reja”, ka thënë Maliqi.
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)