Connect with us

Aktuale

Opozita e zhgënjyer me Ahmetin, për shkak të mosrealizimit të projekteve

Published

on

Rreth dy vite qeverisje të kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti po cilësohen nga opozita dhe shoqëria civile si zhgënjyese për shkak të dështimeve në realizimin e projekteve kapitale. Sipas tyre, për këto vite nuk ka ndryshuar asgjë në kryeqytet dhe në një formë kryeqyteti nuk ka kryetar. Ndërkaq, zyrtarët komunal i mohojnë këto akuza dhe thonë se ky do të jetë viti i investimeve në infrastrukturën rrugore.

Nga partia më e madhe opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës, thonë se Prishtinën po e përcjell një keq qeverisje në shumë fusha. Asamblisti, Agim Gashi shprehet se në bazë të raportit të auditorit po shihet keq menaxhimi në shumë fusha e në veçanti investime kapitale.

“Nëse iu referohemi raporteve qoftë periodike, qoftë të auditorit shihen se Prishtinën po e përcjell një keqqeverisje dhe keq shpenzim i mjeteve në shumë fusha dhe në veçanti në investime kapitale. Sepse mos realizimi i tyre, realizimi jo cilësor mos shpenzimi i mjeteve, shpenzimi i ulët i mjeteve ne na bën të vlerësojmë se Prishtina po keq qeveriset”, thotë ai.

Edhe partia tjetër opozitare, Lëvizja Vetëvendosje ka adresuar kritika të shumta për gjitha vonesat dhe zvarritjet e projekteve kapitale.

Asamblisti i kësaj partie, Eman Rrahmani thotë se këto janë dështime direkte të kryetarit Ahmeti.

“Premtime të tilla ka pasur vitin e kaluar, madje asamblist të partisë së Shpend Ahmetit kanë deklaruar dhe publikisht që do të përfundoj vitin e kaluar komplet dhe jo fillimi i saj. Por deri tash as nuk ka filluar e lerë më të përfundohet. E njëjta punë është dhe me kolektorit problemet me pronar atje nuk e di që janë zgjedhur…ky është një dështim direkt i kryetarit për qytetin, do të thosha më shumë për shkak të neglizhencës dhe dembelisë së tij”, thotë ai.

Kritika për mos arritjen e realizimit të projekteve kapitale në Prishtinë ka dhe nga shoqëria civile dhe organizatat që e mbikëqyrin komunën.

Nga organizata joqeveritare “Çohu”, Arton Demhasaj deklaron se në Prishtinë nuk po ndryshon asgjë, kjo sipas tij, po ndodh për shkak të mos shpenzimit të parave që janë të parapara për investime kapitale.

Për këtë regres, ai thotë se ka një paaftësi apo neglizhencë në qeverisjes në Prishtinë si në projektin e parkingut nëntokësor, ashtu dhe zvarritjet e ndërtimit të kolektorit në Kalabri.

“ Ndoshta është paaftësia, apo është neglizhenca, apo nuk e di si me quajt qeverisjen që po ndodhë në Prishtinë. Për faktin se nuk po ndryshon asgjë në kryeqytet dhe për faktin se nuk po arrihet të shpenzohen parat që kanë qenë të parapara për investime kapitale në komunë… u bën dy vite që po qeveriset Prishtina dhe nuk po e shohim asnjë parking që ka nisur me u investuar në Prishtinë…kundërmimi era që vjen është shumë më e madhe para se që ka filluar me u punu. Në vend që me përfunduar ky projekt dhe qytetarët me përfunduar më përfituar nga ky projekt, qytetari vetëm sa e kanë më keq situatën, sidomos ata që jetojnë për rreth këtij lumi”, deklaron Demahasaj.

Ndërkaq, analisti politik, Rasim Alija thotë për KosovaPress se me mënyrën e qeverisjen së tanishme, kryeqyteti nuk ka kryetar. Kjo gjendje, sipas tij, është si pasojë ngadalësimit ose mbajtjen peng të shumë projekte kapitale.

“Prishtina nuk ka kryetar dhe rrjedhimisht nuk ka as qeverisje. Kur e themi këtë e kam parasysh ngadalësimin ose mbajtjen peng të shumë projekteve kapitale. Mos përfundimin e atyre projekteve dhe mbi të gjitha një lloj anemie e vet kryetarit. Madje dhe vet drejtorëve të drejtorive në dërgimin përpara të projekteve dhe mbi të gjitha të platformës që ka garuar zotëri Ahmeti në vitin 2017”, thotë ai.

Drejtori i Investimeve Kapitale në Prishtinë, Gëzim Mehmeti i mohon gjitha këto akuza dhe jep shifra sa i përket investimeve në kryeqytet, që sipas tij, e dëshmojnë të kundërtën e atyre që po thotë opozita dhe shoqëria civile.

Siç thotë Mehmeti vetëm këtë vit janë paraparë mbi 16 milionë euro investime në infrastrukturën rrugore, këto ai i cilëson si projekte që asnjëherë që nga paslufta nuk kanë ndodhur në Prishtinë.

Ndërsa, për projektet më madhore siç është kolektori në Kalabri dhe parkingu nëntokësor, Mehmeti thotë se ka pasur vonesa për shkak të problemeve pronësore dhe rregullave të prokurimit.

“Kjo që po aludohet nuk është e saktë, për arsye se në këtë vit janë të parapara diku vetëm në infrastrukturë një shumë mbi 16 milionë, shuma e përgjithshme e tërësishme e investimeve kapitale është mbi 32 milionë. Janë të parapara ku Prishtinës 170 rrugë të rikonstruktohen ndërtohet. S’ka pas asnjëherë që nga paslufta më shumë projekte sa i përket infrastrukturës në komunën e Prishtinës. Një gjë që e ngadalëson procesin që ne duhet të respektojmë bazuar në ligjin dhe rregullat e prokurimit, aty ka pronlogime”, deklaron Mehmeti.

Ndryshe, sipas kryetarit të Komunës, Shpend Ahmeti, OSHP i ka dhënë të drejtë Komunës për parkingun nëntokësor me mbi 500 vendparkime i cili do të filloj sivjet.

Aktuale

Deodorantë, shishe uji plastike…: Çfarë nuk duhet të lini në vetura në ditët e nxehta?

Published

on

Dielli dhe nxehtësia kanë një efekt shkatërrues në disa gjëra që përdorim dhe nuk është e mençur t’i lëmë në vetura.

Duket e arsyeshme të mbani një shishe me ujë në veturën tuaj gjatë një vale të nxehtë. Megjithatë, bisfenoli A dhe ftalat në plastikë, kimikate që veprojnë si lidhës dhe e bëjnë plastikën fleksibël, po shkaktojnë shqetësim tek ekspertët që studiojnë efektet e tyre në shëndetin e njeriut. Lënia e ujit në shishe plastike në një makinë të nxehtë mund të bëjë që këto substanca të lëshohen në ujë, shkruan The Sunday Times.

Nxehtësia e madhe në vetura mund të dëmtojë bateritë e të gjitha pajisjeve që i përdorin, që nga kompjuteri, celularët… Ka edhe shishe me krem kundër diellit, të cilat nuk duhet t’i lini në diell (një paradoks interesant, apo jo?) sepse në disa raste mund të shpërthejnë. Më pas janë të gjitha spërkatjet, nga deodoranti tek llaku i flokëve. Kur temperatura arrin rreth 48 gradë Celsius, presioni në rezervuar rritet mjaftueshëm për të shkaktuar një shpërthim, thonë ekspertët. Kornizat plastike të syzeve të diellit mund të shtrembërohen dhe zbardhen, dhe lentet mund të shtrembërohen.

Disa ilaçe, si antibiotikët, duhen mbajtur në frigorifer. Ilaçet në përgjithësi nuk e tolerojnë nxehtësinë dhe disa prej tyre do të bëhen të papërdorshme pas ekspozimit ndaj temperaturave jashtëzakonisht të larta. Nëse përdorni injeksione adrenaline, dobia e tyre zhduket në automjetet e nxehta. E cila, natyrisht, është çështje jete ose vdekjeje.

Buzëkuqi do të shkrihet në temperatura të larta.

Është dokumentuar se kanaçet e gazrave mund të shpërthejnë kur ekspozohen ndaj nxehtësisë ekstreme. Edhe lëngu i portokallit mund të shpërthejë nëse lihet në makinë për një kohë të gjatë, dhe kjo do të thotë një brendshme ngjitëse…

Lënia e çakmakut të disponueshëm në makina në ditët e nxehta nuk është një ide e zgjuar. Shpërthimi i tyre mund të shkaktojë dëme të mëdha dhe madje të thyejë xhamin e përparmë./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Themelohet Oda e Minierave të Kosovës

Published

on

Me ceremoni të mërkurën është bërë hapja e Odës së Minierave të Kosovës që u konsiderua një hap tejet i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, raporton Ekonomia Online.

Themeluesi, Mentor Demi, ka thënë se kjo ceremoni është një hap shumë i rëndësishëm në drejtim të zhvillimit të industrisë së minierave në Kosovë.

Alaudin Kodra, anëtar i Bordit në Odën e Minierave të Kosovës, ka thënë se gjeologjia e Kosovës, është e pasur dhe pikërisht kjo ka qenë një nga arsyet e fillimit të tij për punuar në Kosovë.

“Ligji minerar është ligj i mrekullueshëm i cilësisë së lartë për dallim nga. Pjesa perëndimore e Kosovës është një vazhdimësi e gjeologjisë së Shqipërisë. Kosovës i duhen kompani serioze, dua të iu urojë gjithë të mirat të keni suksese”, ka thënë nder tjera Kodra.

Zëvendësministri i Industrisë, Sipërmarrjes dhe Tregtisë, Mentor Arifaj, ka thënë se kontributi i madh për të ardhur deri te hapja e Odës është për tu vlerësuar.

“Do ta luajë një rol ndërmjet një katalizatori i akterëve të shumtë dhe investitorëve potencial qoftë vendor apo ndërkombëtarë. Oda do ta luajë një rol të rëndësishëm në kuptimin e avancimit duke përfshirë njësi të ndryshme në arenën ndërkombëtare në sektorin e minierave”, ka thënë ai.

Nurten Deva, Rektor i Universitetit Isa Boletini, ka thënë se zhvillimi i industrisë minerare ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik.

“E përgëzojë zotëri Demin për guximin që ka ndërmarrë një hap të tillë për themelimin e një odë nga privatët. Nuk e kanë pas mbështetjen e duhur për të arritur vizionin në planet e tyre strategjike”, ka thënë Deva. Andor Lips, Drejtori jo-ekzekutiv në Western Tethyan Resources, ka thënë se Osat kanë shumë të rëndësishme si një lloj urë lidhëse në mes të investitorëve të huaj dhe institucioneve shtetërore./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Gjykata e Apelit anulon vendimin për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit në Vjosë

Published

on

Pas 10 vitesh nëpër procese gjyqsore, banorët e Mallakastrës fituan të parën betejë ligjore për çështjet mjedisore në vendin tonë. Gjykata Administrative e Apelit në Tiranë anuloi të mërkurën vendimin për ndërtimin e hidrocentralit Poçem në lumin Vjosa. Gjykata i dha të drejtë banorëve dhe organizatave mjedisore, duke konfirmuar aktvendimin e plotë të shkallës së parë dhe argumentet e tij në mbështetje të pretendimeve të paditësve.

Vendimi shënon fitoren përfundimtare të çështjes së parë mjedisore të trajtuar nga Gjykata në Shqipëri.

Beteja ligjore ka nisur në dhjetor të vitit 2016 nga EcoAlbania, EuroNatur dhe Riverwatch, së bashku me 38 banorë të fshatit Kutë në Mallakastër. Ata kundërshtuan ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit, duke pretenduar se “procedurat e ndjekura për dhënien e kontratës koncensionare si dhe procesi i konsultimeve me publikun, ishin zhvilluar në shkelje të legjislacionit shqiptar dhe të konventave ndërkombëtare”.

Banorët dhe organizatat fituan betejën e parë në maj të 2017, kur Gjykata Administrative e Shkallës së Parë vendosi në favor të tyre.

Palët e paditura janë Ministria e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Avokati i Shtetit (në emër të Ministrisë së Energjisë) dhe shoqëria koncesionare (Kovlu Energy), të cilat apeluan vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Pas 8 vitesh Gjykata e Apelit ka vendosur të rrëzojë padinë e tyre dhe të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Ndërkohë që vijonte kjo betje ligjore, banorë dhe organizata mjedisore si EcoAlbania nisën fushatën në mbrojtje të lumit Vjosa “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”.

Pas një beteje të gjatë, në Mars 2023, lumi Vjosa dhe degët e tij Drino, Bënça, Shushica dhe Kardhiqi, u shpallën Park Kombëtar duke ofruar mbrojtje ligjore edhe nga 45 hidrocentralet e planifikura për t’u ndërtuar në gjithë basenin e Vjosës.

Drejtues i Eco Albania Olsi Nika në një reagim për mediat tha se “edhe pse ky vendim vjen në një tjetër realitet, pas shpalljes së Parkut Kombëtar të Vjosës, ne e konsiderojmë si një arritje për komunitetin, aktivistët dhe avokatët e angazhuar në mbrojtjen e lumit Vjosa, të cilët e kanë ndjekur këtë çështje me rigorozitet dhe vendosmëri”.

Hidrocentrali i Poçemit, ishte aktpadia e parë e një çështjeje mjedisore në Gjykatën Administrative në Shqipëri. Ajo i hapi rrugën shumë çështjeve të tjera mjedisore të ngritura nga organizatat dhe banorët për të kërkuar të drejtën për ruajtjen e pasurive natyrore të vendit.

Avokati i çështjes Vladimir Meçi tha se vendimi përfundimtar përbën një arritje në ndërtimin e praktikës gjyqësore administrative që lidhet me te drejtën mjedisore në Shqipëri.

“E gjithë ecuria e çështjes së kundërshtimit të ndërtimit të HEC-it të Poçemit në rrugë gjyqësore, është një model pioner për të gjithë ata që kanë qenë pjesë e tij, përfshirë Organizatat, komunitetin, ne avokatët por edhe vetë gjykatën”, tha Meçi./Mediqa Ndërtimi

Continue Reading

Trending