Aktuale
Operatori i ri s’i pastron rrugët e 13 lagjeve të Pejës
Rrugët e 13 lagjeve të Pejës për herë të fundit janë pastruar në maj të 2016-s.
Që nga atëherë Pejës i pastrohen vetëm rrugët kryesore, derisa rrugëve të lagjeve me 50 mijë banorë apo më tepër së gjysma e gjithë popullatës së Komunës, pluhurin, baltën e mbeturinat i ka hequr vetëm shiu, shkruan sot Koha Ditore.
Deri në fillim të vitit 2016 larjen dhe pastrimin e rrugëve dhe mirëmbajtjen e sipërfaqeve të gjelbra i ka kryer KPM “Ambienti”, kur edhe i ka skaduar kontrata, por ka vazhduar t’i pastronte falas deri në maj 2016 e pastaj e ka ndërprerë.
“Ambientit” kontrata nuk i është vazhduar, pasi Komuna kishte vendosur që ta privatizonte këtë shërbim. Pasi kanë përfunduar procedurat tenderuese, që kanë zgjatur një vit, në shkurt të vitit 2017 është përzgjedhur dhe kontraktuar operatori “LIKA TRADE & JLC GROUP sh.p.k”, për këto shërbime. Mirëpo rrugët e lagjeve, që “Ambienti” i fshinte një herë në javë, nuk janë pastruar fare nga operatori i ri.
“Pastrimi i rrugëve në qytet nuk është në nivel. Më herët pastroheshin edhe rrugët e lagjeve dhe pastroheshin me ujë edhe rrugët nëpër qytet, por ka dy vjet që kjo nuk po ndodh. Në kohën kur e ka pasur ‘Ambienti’ janë pastruar në lagjen tonë. Nuk po dua të paragjykoj, por ka kohë të gjatë që nuk kam parë në rrugët e lagjes sonë që dikush i ka pastruar”, thotë Bashkim Lajçi, banor i lagjes “Dardania”.




