Connect with us

Aktuale

Ofensiva ekonomike e Erdoganit në Serbi, paratë po vijnë me thasë

Published

on

Presidenti turk Erdogan viziton Serbinë me një delegacion të madh investitorësh. Ai troket në një portë të hapur. Ankaraja do të zgjerojë influencën politike në korridorin e pasëm të BE-së, Ballkan.

Nga Deutsche Welle

Xhaketa blu të errët dhe me kuadrata, duket se kjo veshje u solli fat dy burrave të fuqishëm të shtetit në prill. Me këtë veshje Aleksandar Vuçiç mori votën në zgjedhjet presidenciale në Serbi, të cilat në fakt ai i fitoi qysh në raundin e parë. Me të njëjtën veshje u shfaq edhe homologu i tij Taip Erdogan në qendrën e votimit, kur ia doli të aplikojë sistemin presidencial përmes referendumit. Eshtë një copë simbolike e veshjes, që i bën dy të fuqishmit të duken modernë. Komuniteti serb i Twitter-it madje ka gjetur edhe një nofkë për këtë: xhaketa e diktatorëve.

Por Erdoganin dhe Vuçiçin i bashkon më shumë se sa vetëm stili. Ndonëse për shkak të madhësisë së vendeve të tyre ata luajnë në kategori të ndryshme, që të dy preferojnë pushtetin absolut si dhe nënçmimin e opozitës dhe të medieve kritike. Ata preferojnë të inskenohen si shpëtimtarë, që pa u lodhur punojnë për popullin për vende pune dhe zhvillim.

Pikërisht kjo synohet edhe të martën (10.10), kur Erdogan i shoqruar nga delegacioni i tij me investitorë i përbërë nga 150 bosë të ekonomisë viziton Beogradin. Nuk është e pazakontë për Erdoganin të udhëtojë i shoqëruar nga delegacion investitorësh. Por për qeverinë serbe ky është një event, me të cilin ajo synontë fitojë pikë në popull. Mesazhi është: paratë po vijnë me thasë.

…e të gjithë janë të kënaqur

Arsyeja ekonomike e qeverisë turke harmonizohet lehtë me atë serbe, thonë ekonomistët. Fjala magjike në Ankara është eksport. Vetëm nëse rritet edhe më tej eksporti, mund të arrihet rritja e premtuar çdo vit me 5,5 përqind. Ballkani Perëndimor ofron mjaft forca të lira pune për investitorët turq si dhe lehtësi për aksesin në tregun e BE-së. “Praktikisht tani procesi i bisedimeve të antarësimit BE-Turqi është i vdekur. Ndaj është një avantazh deçiziv, nëse ndërmarrjet turke prodhojnë në vende, që janë më pranë BE-së e madje edhe brenda unionit”, mendon ekonomisti nga Stambolli dhe analisti politik Atilla Yenilada.

Vuçiç në të kundërt i var shpresat tek paratë dhe vendet e reja të punës – ai është madje i gatshëm për këtë, që t’u paguajë investitorëve rreth 10.000 Euro subvencion për çdo vend pune. Sundimtari i vetëm serb vazhdimisht deklaron, se do të jetë numri 1 europian për zhvillimin ekonomik. Por deri tani shifrat janë asgjësuese për të. Në tre vitet e fundit me një rritje 1,6 përqind vendi ishte i fundit në rajon (Mali i Zi me 7,7%, Kosova me 9,1% dhe Maqedonia me 10,2%).  Paga mesatare me më pak se 400€ në muaj është ndër më të ulëtat në Europë.

Megjithatë paratë turke kryesisht do të derdhen në të ashtuquajturën industri me vlerë të pakët shtesë, pra atje ku ka nevojë më shumë për forca të thjeshta pune e jo për inovacion, thotë Ye?ilada. Qysh tani më shumë se 1.000 punëtorë në Serbi prodhojnë pantallona Jeans të lira për firmat turke, dhe sipas qeverisë serbe kjo shifër do të rritet në 3.000. Përveç kësaj në opinionin serb përfliten edhe interesat turke ndaj industrisë së drurit dhe të qumështit. Kjo do të ishte me avantazh për të dyja palët: “Në të tilla degë në vendet e Ballkanit mund të arrihet menjëherë hopi ekonomik dhe njëkohësisht kjo shërben si bazë për ekonominë turke të eksportit”, thotë Yenilada për DW.
Ëndrra neo-osmane

“Invazioni i biznesit: turqit sërish pushtojnë Serbinë”, kështu e titullonte gazeta bulevardeske Blic vitin e kaluar një artikull të saj duke aluduar për sundimin pesëqindvjeçar të Perandorisë Osmane në Serbi. Por kjo hiperbolë kuptohet që aktualisht kishte konotacion pozitiv. Biljana Stepanoviç do të preferonte të ishte më realiste, sepse deri tani investimet turke në rajon kanë qenë të moderuara, thotë kryeredaktorja e revistës ekonomike të Beogradit “Nova ekonomija”.

Eksporti drejt gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, që ndodhen në sallonin e pritjes të BE-së për anëtarësim (Serbia, Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi) me gjithsej 20 milionë banorë, ka një volum vjetor nën dy miliardë Dollarë amerikanë. Më shumë produkte prodhuesit turq i shesin në Azerbajxhan apo Izrael, të dy vende këto me më pak se 10 milionë banorë. Ndaj thekson Stepanoviç, duhet pritur një herë, të shihet, se sa seriozisht e kanë turqit.

Shumë vëzhgues megjithatë hamendësojnë, se Turqia nuk synon vetëm ekonominë në Ballkan. Qysh tani, kryesisht në vendet me shumicë myslimane si në Bosnje-Hercegovinë apo Shqipëri financohen xhami, shkolla e organizata humanitare. “Ne kemi të bëjme edhe me neo-osmanizmin. Turqit jetojnë me iluzionin, se ish-kolonitë po i presin ata me krahë hapur”, thotë Atilla Ye?ilada. Në fakt, nuk është kështu, megjithatë turqit kanë arsye të forta që të jenë të interesuar edhe politikisht për këtë rajon. Nga njëra anë duhet stabilitet në këtë pjesë të fqinjësisë, nga ana tjetër edhe pse “qeveria e AKP-së beson – gjë që për mua është gabim – se për një periudhë afatmesme BE-ja do të jetë më shumë rivale se sa partnere”, thotë Atilla Yenilada.

Aktuale

Deodorantë, shishe uji plastike…: Çfarë nuk duhet të lini në vetura në ditët e nxehta?

Published

on

Dielli dhe nxehtësia kanë një efekt shkatërrues në disa gjëra që përdorim dhe nuk është e mençur t’i lëmë në vetura.

Duket e arsyeshme të mbani një shishe me ujë në veturën tuaj gjatë një vale të nxehtë. Megjithatë, bisfenoli A dhe ftalat në plastikë, kimikate që veprojnë si lidhës dhe e bëjnë plastikën fleksibël, po shkaktojnë shqetësim tek ekspertët që studiojnë efektet e tyre në shëndetin e njeriut. Lënia e ujit në shishe plastike në një makinë të nxehtë mund të bëjë që këto substanca të lëshohen në ujë, shkruan The Sunday Times.

Nxehtësia e madhe në vetura mund të dëmtojë bateritë e të gjitha pajisjeve që i përdorin, që nga kompjuteri, celularët… Ka edhe shishe me krem kundër diellit, të cilat nuk duhet t’i lini në diell (një paradoks interesant, apo jo?) sepse në disa raste mund të shpërthejnë. Më pas janë të gjitha spërkatjet, nga deodoranti tek llaku i flokëve. Kur temperatura arrin rreth 48 gradë Celsius, presioni në rezervuar rritet mjaftueshëm për të shkaktuar një shpërthim, thonë ekspertët. Kornizat plastike të syzeve të diellit mund të shtrembërohen dhe zbardhen, dhe lentet mund të shtrembërohen.

Disa ilaçe, si antibiotikët, duhen mbajtur në frigorifer. Ilaçet në përgjithësi nuk e tolerojnë nxehtësinë dhe disa prej tyre do të bëhen të papërdorshme pas ekspozimit ndaj temperaturave jashtëzakonisht të larta. Nëse përdorni injeksione adrenaline, dobia e tyre zhduket në automjetet e nxehta. E cila, natyrisht, është çështje jete ose vdekjeje.

Buzëkuqi do të shkrihet në temperatura të larta.

Është dokumentuar se kanaçet e gazrave mund të shpërthejnë kur ekspozohen ndaj nxehtësisë ekstreme. Edhe lëngu i portokallit mund të shpërthejë nëse lihet në makinë për një kohë të gjatë, dhe kjo do të thotë një brendshme ngjitëse…

Lënia e çakmakut të disponueshëm në makina në ditët e nxehta nuk është një ide e zgjuar. Shpërthimi i tyre mund të shkaktojë dëme të mëdha dhe madje të thyejë xhamin e përparmë./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Themelohet Oda e Minierave të Kosovës

Published

on

Me ceremoni të mërkurën është bërë hapja e Odës së Minierave të Kosovës që u konsiderua një hap tejet i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, raporton Ekonomia Online.

Themeluesi, Mentor Demi, ka thënë se kjo ceremoni është një hap shumë i rëndësishëm në drejtim të zhvillimit të industrisë së minierave në Kosovë.

Alaudin Kodra, anëtar i Bordit në Odën e Minierave të Kosovës, ka thënë se gjeologjia e Kosovës, është e pasur dhe pikërisht kjo ka qenë një nga arsyet e fillimit të tij për punuar në Kosovë.

“Ligji minerar është ligj i mrekullueshëm i cilësisë së lartë për dallim nga. Pjesa perëndimore e Kosovës është një vazhdimësi e gjeologjisë së Shqipërisë. Kosovës i duhen kompani serioze, dua të iu urojë gjithë të mirat të keni suksese”, ka thënë nder tjera Kodra.

Zëvendësministri i Industrisë, Sipërmarrjes dhe Tregtisë, Mentor Arifaj, ka thënë se kontributi i madh për të ardhur deri te hapja e Odës është për tu vlerësuar.

“Do ta luajë një rol ndërmjet një katalizatori i akterëve të shumtë dhe investitorëve potencial qoftë vendor apo ndërkombëtarë. Oda do ta luajë një rol të rëndësishëm në kuptimin e avancimit duke përfshirë njësi të ndryshme në arenën ndërkombëtare në sektorin e minierave”, ka thënë ai.

Nurten Deva, Rektor i Universitetit Isa Boletini, ka thënë se zhvillimi i industrisë minerare ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik.

“E përgëzojë zotëri Demin për guximin që ka ndërmarrë një hap të tillë për themelimin e një odë nga privatët. Nuk e kanë pas mbështetjen e duhur për të arritur vizionin në planet e tyre strategjike”, ka thënë Deva. Andor Lips, Drejtori jo-ekzekutiv në Western Tethyan Resources, ka thënë se Osat kanë shumë të rëndësishme si një lloj urë lidhëse në mes të investitorëve të huaj dhe institucioneve shtetërore./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Gjykata e Apelit anulon vendimin për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit në Vjosë

Published

on

Pas 10 vitesh nëpër procese gjyqsore, banorët e Mallakastrës fituan të parën betejë ligjore për çështjet mjedisore në vendin tonë. Gjykata Administrative e Apelit në Tiranë anuloi të mërkurën vendimin për ndërtimin e hidrocentralit Poçem në lumin Vjosa. Gjykata i dha të drejtë banorëve dhe organizatave mjedisore, duke konfirmuar aktvendimin e plotë të shkallës së parë dhe argumentet e tij në mbështetje të pretendimeve të paditësve.

Vendimi shënon fitoren përfundimtare të çështjes së parë mjedisore të trajtuar nga Gjykata në Shqipëri.

Beteja ligjore ka nisur në dhjetor të vitit 2016 nga EcoAlbania, EuroNatur dhe Riverwatch, së bashku me 38 banorë të fshatit Kutë në Mallakastër. Ata kundërshtuan ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit, duke pretenduar se “procedurat e ndjekura për dhënien e kontratës koncensionare si dhe procesi i konsultimeve me publikun, ishin zhvilluar në shkelje të legjislacionit shqiptar dhe të konventave ndërkombëtare”.

Banorët dhe organizatat fituan betejën e parë në maj të 2017, kur Gjykata Administrative e Shkallës së Parë vendosi në favor të tyre.

Palët e paditura janë Ministria e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Avokati i Shtetit (në emër të Ministrisë së Energjisë) dhe shoqëria koncesionare (Kovlu Energy), të cilat apeluan vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Pas 8 vitesh Gjykata e Apelit ka vendosur të rrëzojë padinë e tyre dhe të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Ndërkohë që vijonte kjo betje ligjore, banorë dhe organizata mjedisore si EcoAlbania nisën fushatën në mbrojtje të lumit Vjosa “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”.

Pas një beteje të gjatë, në Mars 2023, lumi Vjosa dhe degët e tij Drino, Bënça, Shushica dhe Kardhiqi, u shpallën Park Kombëtar duke ofruar mbrojtje ligjore edhe nga 45 hidrocentralet e planifikura për t’u ndërtuar në gjithë basenin e Vjosës.

Drejtues i Eco Albania Olsi Nika në një reagim për mediat tha se “edhe pse ky vendim vjen në një tjetër realitet, pas shpalljes së Parkut Kombëtar të Vjosës, ne e konsiderojmë si një arritje për komunitetin, aktivistët dhe avokatët e angazhuar në mbrojtjen e lumit Vjosa, të cilët e kanë ndjekur këtë çështje me rigorozitet dhe vendosmëri”.

Hidrocentrali i Poçemit, ishte aktpadia e parë e një çështjeje mjedisore në Gjykatën Administrative në Shqipëri. Ajo i hapi rrugën shumë çështjeve të tjera mjedisore të ngritura nga organizatat dhe banorët për të kërkuar të drejtën për ruajtjen e pasurive natyrore të vendit.

Avokati i çështjes Vladimir Meçi tha se vendimi përfundimtar përbën një arritje në ndërtimin e praktikës gjyqësore administrative që lidhet me te drejtën mjedisore në Shqipëri.

“E gjithë ecuria e çështjes së kundërshtimit të ndërtimit të HEC-it të Poçemit në rrugë gjyqësore, është një model pioner për të gjithë ata që kanë qenë pjesë e tij, përfshirë Organizatat, komunitetin, ne avokatët por edhe vetë gjykatën”, tha Meçi./Mediqa Ndërtimi

Continue Reading

Trending