Trashëgimia
Oda e Fevzi Hoxhës në Gjilan
Oda mbetet sinonim i vendit ku burrat shqiptarë kanë marrë vendime të mëdha jo vetëm familjare por edhe vendime me rëndësi kombëtare. Një e tillë shumë e rëndësishme ndër vite është padyshim edhe Oda e Fevzi Hoxhës në Gjilan.
Në fshatin Cernicë, rreth 8 km në jugperëndim të Gjilanit gjendet Oda e Mulla Vehbiut, tani e njohur me emrin e nipit të tij Fevzi Hoxhës. Kjo odë është ndërtuar në vitin 1928 në kohën e mulla Vehbi Hoxhës ku mjeshtër për ndërtimin e saj ishin djemtë e Hysen Hoxhës.
Oda është e realizuar në planimetri drejtkëndëshe dhe është e ndërtuar në përdhese dhe kat. Përdhesja në një kohë ka shërbyer si mejtep(shkollë e fshatit). Kurse në katin e parë është vendosur oda nga edhe e ka marrë emrin ky objekt. Oda është shfrytëzuar si hapësirë ku janë mbledhur meshkujt e një familjeje ose ata të fshatit për diskutime të ndryshme dhe po ashtu ka shërbyer edhe si dhomë e mysafirëve.
Oda ka shkallë të drurit në hyrje të vendosura në anën lindore të cilat pastaj vazhdojnë me hajatin gjysmë të hapur. Kjo odë ka një sipërfaqe prej 50 metrave katrorë. Në enterier janë ruajtur elementet origjinale, jyklyku që përdorej për vendosjen e dyshekëve dhe jorganëve, dy trapazanë të vendosur në dy anët e fillimit të odës. Më parë oda ka qenë e rrethuar me mindere të cilat janë shkatërruar më kohë, si dhe janë edhe dy dollapë që shfrytëzoheshin për të mbajtur takëmet e kafesë: sheqeri, kafeja, duhani etj. Dritarja më e madhe ka orientim ka jugu, ndërsa dy dritaret e vogla shikojnë kah lindja.
Materiali bazë ndërtimor është kryesisht guri i punuar dhe i lidhur me llaç balte dhe trarët e drurit në formë hatullash. Konstruksioni meskator është punuar nga trarët e drurit të vendosur në dy drejtime. Shtyllat në përdhese janë po ashtu të punuara nga druri me kapitel të dekoruar në formë gjeometrike. Kulmi i odës është kulm katërujor i mbuluar me tjegulla të argjilës. Fasada është e suvatuar nga llaçi i baltës. Hajati i vendosur në anën lindore krijon dinamikë të dritë-hijes. Në oborr të odës kemi edhe shtëpi tjera si hambari dhe koshi që janë tregues tipikë të një vendbanimi në zonën rurale.
Në vitin 2013 Ministria e Kulturës , Rinisë dhe Sportit së bashku me zyrën e organizatës suedeze “Trashëgimia Kulturore pa kufij” (CHwB) kanë realizuar projektin për intervenim emergjent.
You must be logged in to post a comment Login