Prokurim Publik
Objekti viteve të 30-ta i vetmi institucion publik trashëgimi kulturore e Mitrovicës

Është njëri nga objektet më të vjetra të qytetit. U ndërtua në vitet e ’30-ta të shekullit 20-të për qëllime banimi nga familjen Deva, por që sot është njëri nga objektet më me vlerë historike të qytetit të Mitrovicës, shkruan Ndërtimi.info
I vendosur në qendrën e qytetit objekti pas 20 vjetësh ishte konfiskuar nga Komuna e Mitrovicës për t’u shndërruar në stacion policor të xhandarmërisë, e më pastaj në insitucionin për ofrimin e shërbimeve dhe ndërmjetësimit në punësim të banorëve të qytetit të Mitrovicës.
Qendra Rajonale për Punësim apo ndryshe i njohur si Enti për Punësim në Mitrovicë është i vetmi institucion publik nga ky qytet i listuar si objekt i trashëgimisë kulturore të vendit.
Objekti dy katësh i përket arkitekturës moderne euro-perëndimore, derisa shquhet me elemente arkitektonike në eksterier – pilastrat në fasada ballore dhe nënkulmin të ekzekutuar në formë Mansardi.
Stili i ndërtimit të këtij objekti paraqet kthesë radikale të kalimit nga ndërtimi i objekteve me ndikim të arkitekturës të stilit oriental në ndërtim të objekteve me stil të arkitekturës moderne evropiane të kohës.
E veçanta e enterierit të këtij objekti qëndron në shkallët e drurit dhe veshja e disa pjesëve të mureve po me “llamperi” druri.
Ndërkaq, përveç disa intervenimeve në enterier, ky objekt në eksterier dhe fasadë ka arritur të ruaj origjinalitetin e vet.
