Aktuale
Objekti shkollor në Pejë do të bëhet arkiv i artit bashkëkohor
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2019/07/auto_Xhafa-21563951599.jpg)
Kur hapet dera kryesore e shkollës fillore “Vaso Pashë Shkodrani”, gjëja e parë që bie në sy përballë hyrjes është një miniekspozitë. Përbëhet nga veshje kombëtare e vegla, relativisht të vjetra.
Objekti katërkatësh i ndërtuar në periudhën e Luftës së Parë Botërore dikur kishte shërbyer si spital. Pejanët rrëfejnë se të afërmit e tyre ishin lindur aty. Por 64 dhomat e ndërtesës, që gjendet krahas parkut të qytetit “Karagaq”, aktualisht janë klasa për nxënësit e salla të arsimtarëve, shkruan sot Koha Ditore.
Në brendi është bërë një vend edhe për një sallë modeste të sportit. Pos miniekspozitës në hyrje, secila klasë do të mundë të shihej si minigaleri më vete. Muret janë të mbushura me poezi, tregime të shkurtra, biografi shkrimtarësh, vizatime të sistemit periodik të elementeve kimike e shumë shpjegime mësimore.
Por ndërtesa me një oborr jo të vogël, që është larg qendrës së qytetit perëndimor vetëm 5 minuta, do ta ndërrojë funksionin. Në njëfarë forme do të mbetet prapë shkollë e po ashtu edhe ambient ekspozues, por me një krejt tjetër format.
Artisti pejan me nam botëror Sislej Xhafa ka kohë që e ka shoshitur në kokë një ide për të realizuar një arkiv vizual të artit bashkëkohor në Kosovë. Ai që Xhafa herë e quan arkiv, e herë qendër të artit bashkëkohor do të marrë jetë pikërisht në ndërtesën aktuale të shkollës “Vaso Pashë Shkodrani”. Shkolla si institucion me të njëjtin emër do të zhvendoset prapa në një objekt të ri që është në ndërtim e sipër.
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)