Aktuale
Objekti i trashëgimisë në Prizren u rrënua me kërkesë të pronarëve

Historia e shtëpisë tradicionale në rrugën Bajrakli, të Prizrenit, si pjesë e Trashëgimisë Kulturore të Kosovës, ka mbetur poshtë rrënojave, pas vendimit të Qendrës Rajonale për Trashëgimi për shembjen e saj.
E kërkesa për një vendim të tillë ka ardhur nga pronarët e kësaj ndërtese, familja Bytyqi, pas konstatimit se shtëpia nuk ka statikë të qëndrueshme për restaurim dhe paraqet rrezik për kalimtarët.
Drejtori për Emergjencë dhe Siguri, në Komunën e Prizrenit, Faruk Dakaj, për Ndërtimi.info ka treguar se vendimi ka qenë i përbashkët dhe është marrë për të parandaluar një fatkeqësi në rast të shembjes.
“Ky objekt i takon familjes Bytyqi. Familja ka bërë një kërkesë për ta rrënuar atë për shkak se ka qenë ka qenë në prag të rrënimit dhe ka paraqitë rrezik për kalimtarët. Kjo ka ardhë edhe si kërkesë e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore, në kuadër të kërkesave për inspektim të 6 objekteve, ata kanë dalë në terren bashkë me inspektorët për trashëgimi dhe kanë konstatuar se ndërtesa paraqet një rrezik dhe kanë konstatuar se ky objekt nuk ka një statikë të qëndrueshme për ta restauruar dhe rrjedhimisht është bërë një raport nga Qendra Rajonale për Trashëgimi ku dhe e kanë lëshuar lejen për rrënim në rrugën e Bajraklisë”, është shprehur Dakaj.
Rrënimi i objektit ka ngjallur reagime të shumta, e me një të tillë për këtë temë shpejt ka paralajmëruar të dalë edhe organizata joqeveritare “Ec Ma Ndryshe”./Ndërtimi.info/
