Aktuale
Objekti 200 mijë eurosh i papërdorshëm, u shpenzuan 147 mijë euro tjera për një të ri

Sa herë është ndërruar pushteti në Suharekë është ndërtuar nga një objekt për tregtarë. Kur ishte LDK-ja ishte ndërtuar një hapësirë me vlerë prej 200 mijë eurosh. Derisa udhëheqja e AAK-së kishte ndërtuar objekt të ri me arsyetimin se i vjetri ishte jofunksional dhe larg qytetit. Projekti i dytë u ka kushtuar suharekasve dhe Ministrisë së Zhvillimit Rajonal edhe 147 mijë euro tjera.
Komuna e Suharekës, e udhëhequr nga AAK-ja, po akuzohet se ka ndërtuar një objekt pa leje për nevojat e tregtarëve, këtë po e thotë ish-kryetari Asllanaj dhe asamblisti Ardian Shala.
“Komuna ka bërë keq pse ka ndërtuar një objekt pa leje”, ka thënë Asllanaj, për Express, të dielën.
Ndërkohë, edhe një objekt tjetër që ka kushtuar 200 mijë euro po vazhdon të mos përdoret prej vitit 2015. Edhe pse kanë kaluar katër vite, i njëjti objekt ka mbetur jashtë përdorimit për qëllime tregtare.
Sali Asllanaj ka thënë se projekti i parë ishte donacion.
Tash, udhëheqja e re ka ndërtuar një objekt tjetër, për të njëjtin qëllim, që ka kushtuar 147 mijë euro.
Kryetari i Komunës, Bali Muharremaj, ka thënë se objekti i vjetër s’është përdorur për shkak se ndodhet larg qytetit. Fajin për këtë ia lë ish-udhëheqjes komunale. Kështu, Muharremaj vendosi ta ndërtojë objektin e ri 500m më afër qytetit.
Kryetari Muharremaj ka thënë se “fajtor pse është ndërtuar keq objekti është LDK-ja” derisa objekti i ri do t’i plotësojë kërkesat e tregtarëve.
Ndërsa për objektin e ri Asllanaj ka konfirmuar se objekti i ndërtuar nga Komuna është ndërtuar pa leje.
“Objekti i ndërtuar nga LDK është jofunksional dhe u kanë gjithmonë. Vendi ku e kemi ndërtu ne ka qenë treg edhe para lufte, ndërsa vendi ku është ndërtuar është jofunksional sepse është larg”, ka pohuar i pari i Komunës Bali Muharremaj.
Asamblisti i LDK-së, Ardian Shala, ka thënë se edhe objekti i ri është i papërdorshëm për shkak se bizneset s’kanë shprehur interesim t’i shfrytëzojnë ato hapësira.
“Ky objekt është ndërtu para shumë kohe por edhe ma e keqja është që edhe një treg tjetër është hapë për të njëjtat qëllime mirëpo edhe ai është absolutisht jofunksional”, ka deklaruar Ardian Shala.
Derisa objekti nuk po shfrytëzohet për tregti, një anëtar i VV-së ka propozuar që atje të shkojnë artistët.
Ai ka thënë se një objekt i tillë i plotëson kërkesat e artistëve derisa të ndërtohet Qendra e Kulturës.
“… se si është e mundur që ky objekt është jofunksional nga viti 2015 ndërkohë që asamblistët ende janë në gjumë. Për një çështje shqetësuese si kjo, nuk po ‘qohet pluhen’ fare në Asamblenë Komunale”. Ky i fundit ka bërë madje edhe një propozim duke pyetur pse të mos i jepet në shfrytëzim artistëve derisa të ndërtohet Shtëpia e Kulturës”, ka shkruar Melit Berisha i VV-së në FB.
Mirëpo, kryetari i Komunës dhe asamblisti i LDK-së thonë se një ide e tillë nuk është serioze.
Bali Muharremaj ka thënë se Shtëpia e Kulturës ka ngecje në ndërtim, mirëpo tregu i fermerëve nuk është destinuar për dobi të kulturës.
“Mendoj që objekti nuk është destinuar për qëllim kulturor. Shtëpia e Kulturës “Ukë Bytyqi” ka disa zvarritje, por unë do të angazhohem që ajo të përfundojë sa më shpejt”, ka thënë Muharremaj.
E vetmja pikë për të cilën pajtohen Shala dhe Muharremaj është mungesa në joshjen dhe promovimin e tregut të fermerëve.
“Edhe pse jemi opozitë, ky objekt është ndërtuar gjatë kohës kur LDK-ja ishte në pushtet, e ndoshta problemi ka qenë te joshja e fermerëve”, ka shtuar Shala.
“Objekti fillimisht nuk është promovuar sa duhet, pastaj për qytetarët është larg qendrës së qytetit, pra nga vendi ku është tani aktualisht objekti i tregut”, ka thënë Muharremaj.
