Featured
Objektet pa leje në Graçanicë s’mund të lidhen në rrjetin elektrik dhe në ujësjellës

Këshilltarët komunalë të Kuvendit të Graçanicës kanë miratuar propozimvendimin e kryetarit Sergjan Popoviq për të kushtëzuar lidhjen në shërbimet publike, si rrymë e ujësjellës, në rast se mungon leja ndërtimore.
Ky kushtëzim, sipas zyrtarëve komunalë, është bërë për të parandaluar ndërtimet pa leje në territorin e komunës, shkruan sot “Koha Ditore”.
Këtë vendim e kanë arsyetuar para këshilltarëve komunalë drejtori i Shërbimeve Publike, Vladica Trajkoviq dhe ai i Inspektoratit, Milosh Artinoviq, në një mbledhje të Kuvendit Komunal.
“Këshilltarët e Kuvendit Komunal të Graçanicës në mbledhjen e sotme njëzëri kanë miratuar vendimin për masat në bazë të të cilave në territorin e Komunës së Graçanicës parandalohet ndërtimi pa leje, me propozim të kryetarit të Komunës së Graçanicës, Sergjan Popoviq. Sipas fjalëve të tyre, me vendim ndalohet lidhja e objekteve në rrjetin elektrik dhe atë të ujësjellësit në qoftë se ata nuk e kanë leje komunale ndërtimi”, thuhet në një njoftim të Komunës së Graçanicës.
