Aktuale
Objektet banesore në Gjakovë me shumë probleme e pa administratorë
Objektet e vjetra banesore në komunën e Gjakovës vazhdojnë të mos kenë administratorë, një person i cili do të kujdesej për të gjithë hapësirën e përbashkët dhe do të zgjidhte shumë prej problemeve të komunitetit.
Ky administrator që do të zgjidhej nga vet banorët do të siguronte standardet e ruajtjes së higjienës e shëndetit publik duke rritur kështu sigurinë e banorëve e duke vendosur standardet që sot mungojnë.
Radio Gjakova bëri një verifikim të shumëkatësheve që janë gjatë gjithë vijës së qendrës së qytetit dhe ka konstatuar se në asnjërën nuk ka administrator.
Banorët e pranojnë se administratori është i nevojshëm pasi kanë shumë probleme dhe si përfaqësues i të gjithë familjeve ai do të negocionte në emër të komunitetit për zgjidhjen e problemeve ose do të ndërmerrte iniciativa për ta bërë jetesën në komunitet sa më atraktive.
“Administratori duhet sepse kemi shumë probleme, mungon pastërtia, probleme me rrjetin e kanalizimeve. Sikur të ishte një i zgjedhur do të takohej me përgjegjësit edhe do të zgjidheshin problemet”, tha një zonjë që jeton prej 30 vitesh në njërën pre jo-shumëkatësheve në qendër të qytetit.
Banorët thonë se nuk kanë pasur ndonjë shtytje institucionale për këtë çështje, siç ndodh në Shqipëri, por as vet nuk kanë tentuar për arsye krejt të parëndësishme.
“Tash ka lëvizje të madhe të banorëve, edhe nuk e njohim njëri-tjetrin. Ndonjë përshëndetje aty-këtu. Për me bo mbledhje siç po mendoni ju, asnjëherë”, tha një tjetër zotëri që jeton pranë shumëkatëshes afër KEDS.
Një situatë krejtësisht tjetër është në shumëkatëshet e ndërtuar vitet e fundit. Aty ka administrator dhe bëhet një pagesë mujore për mirëmbajtje të hapësirave të përbashkëta dhe ashensorët.
Banorët e shumëkatësheve të para viteve ‘90 aktualisht nuk kanë obligime mujore. Edhe pse nuk kanë ashensorë, të ardhurat do të shfrytëzoheshin për pastrim ose për rregullim të dyerve apo dritareve.
“Jo nuk bëjmë asnjë pagesë. Ndoshta nëse do të krijohej një buxhet mund të ndërroheshin dritaret, ta bënin derën me çelës pasi sot hyjnë në hyrje kushdo, ose edhe t’i lyenim korridoret”, tha një zonjë tjetër./radiogjakova/