Aktuale
Nuk zgjidhet problemi i 63 milionëshit me “Bechtel&Enka”, dështon mbledhja e Komitetit Ndërministrorë

63 milionë euro shtesë që po kërkon kompania “Bechtel&Enka” për autostradën “Arbën Xhaferi” po synohet që zbriten sa më shumë.
Për t’i dhënë zgjidhje kësaj çështje është formuar edhe Komiteti Ndërministrorë, i cili është duke negociuar me kompaninë, por që ende nuk është arritur një marrëveshje përfundimtare shkruan Ndërtimi.info.
Javën e kaluar ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj deklaroi se nuk do të paguhen 63 milionë euro, por 45 milionë. Por, këtë nuk e konfirmuan nga “Bechtel&Enka” duke thënë se gjithçka pritet të bëhet e ditur në mbledhjen e Komitetit Ndërministrorë.
Mirëpo, mbledhje e cila ishte planifikuar të mbahet të mbahet të premten e kaluar kishte dështuar për shkak të mungesës së disa anëtarëve.
Këtë e ka bërë të ditur për Ndërtimi.info këshilltari i ministrit Lekaj, Eset Berisha.
“Mbledhja e Komitetit Ndërministrorë nuk është mbajtur javën e kaluar për shkak se kanë munguar disa anëtarë. Ditët e ardhshme pritet të caktohet një mbledhje e re”, është shprehur ai.
E, mbledhje e ardhshme e këtij komiteti pritet të caktohet pasi të kthehet ministri Pal Lekaj, i cili gjendet jashtë vendit.
Ndërkaq, kompania “Bechtel&Enka” po kërkon pagesë shtesë, pasi Qeveria e Kosovës nuk ka kryer të gjitha pagesat e nevojshme sipas planit. Vonesat në pagesa për këtë kompani kanë bërë që edhe punët të mos kryhen sipas parashikimeve. E, në rast se nuk do të arrihet marrëveshje për pagesën e shumës shtesë, Qeveria e Kosovës rrezikon që për këtë çështje të përfundojë në Gjykatën e Arbitrazhit./nderimit.info/
