Aktuale
Nuk shfrytëzohen kapacitetet e mëdha turistike në Kosovë
Kosova ka resurse dhe kapacitete të mëdha turistike, por këto nuk shfrytëzohen sa duhet. Zekë Çeku, ekspert i turizmit, thotë se është mëkat që resurset turistike që ka vendi nuk shfrytëzohen mjaftueshëm.
Ndërkaq, Baki Hoti, drejtues i një shoqate të turizmit, pohon se turizmi në vend nuk është i zhvilluar sa duhet, pasi që institucionet asnjëherë nuk e kanë pasur prioritet atë.
Kosova edhe pse ka resurse dhe kapacitete turistike, nuk ka një turizëm të zhvilluar sa duhet. Ekspertët e turizmit thonë se institucionet shtetërore nuk po punojnë aq sa është e nevojshme në zhvillimin e turizmit. Zekë Çeku, njëri nga ekspert e turizmit, pohon për Radio Kosovën se është mëkat që resurset turistike që ka vendi nuk shfrytëzohen sa duhet.
“Sa i përket resurseve, Kosova është shumë e begatshme. Në disa aspekte, Kosova është e jashtëzakonshme, jo vetëm në raport me vendet përreth nesh, por edhe në krejt Evropën Juglindore. Kosova është njëshi kisha me thënë, sado që është vend i vogël”, pohoi eksperti i turizmit, Zekë Çeku.
Njëjtë si Zekë Çeku, edhe drejtori i Shoqatës së Turizmit Alternativ të Kosovës, Baki Hoti, mendon se vendi ka resurse të shumta turistike. Por, sipas tij, institucionet shtetërore nuk po punojnë sa duhet në promovimin e tyre. Sipas Hotit, institucionet tona zhvillimin e turizmit nuk e kanë prioritet, edhe pse zhvillimi i tij do të ndikonte shumë në ekonominë e vendit.
“Kapacitete turistike kemi mjaft, por duhet të zhvillohen dhe të promovohen ato. Këta dy faktorë janë thelbësorë për zhvillimin e turizmit. Unë mendoj se institucionet qendrore, në këtë rast, vetë Qeveria e Kosovës nuk e ka marrë si prioritet turizmin. Ata, nuk ndajnë buxhet të mjaftueshëm për zhvillimin ose për ndërhyrjet në sektorin e turizmit”, tha Hoti.
Se turizmi nuk është prioritet e thotë edhe Xhemajl Pllana, zyrtar për politika turistike në divizionin e turizmit. Megjithatë, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave, turizmi në Kosovë ka shënuar rritje në vitet e fundit. Një gjë të tillë e pohon edhe eksperti i turizmit, Zekë Çeku, dhe drejtori i Shoqatës së Turizmit Alternativ të Kosovës, Baki Hoti. Këta bëjnë thirrje që turizmi të subvencionohet, pasi që zhvillimi i tij do të ndikonte pozitivisht në ekonominë e vendit dhe hapjen e vendeve të reja të punës.