Aktuale
Nuk ndalen vërshimet e ujërave të zeza në “Gazmend Zajmi”
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2019/05/auto_rruga_gazmend_zajmi1559146484.jpg)
Sërish janë bllokuar pusetat e ujërave të zeza në rrugën “Gazmend Zajmi” në Prishtinë, duke shkaktuar vërshim të rrugës e erë të rëndë.
Lidhur me bllokimin e shpeshtë të pusetave dhe vërshimet që po bëhen në këtë rrugë, Kompania Regjionale e Ujësjellësit ka thënë se vazhdimisht po ofron zgjidhje të përkohshme duke bërë zhbllokimin çdo dy ose tre ditë. Sipas Arieta Mjekut, zëdhënëse në “Ujësjellës”, përgjegjësi e ndërrimit të kolektorit e rrjetit të kanalizimit është Komuna e Prishtinës. Ajo ka bërë të ditur se kanë informacion që në planin e ndërrimit të këtij rrjeti bën pjesë edhe rruga “Gazmend Zajmi”.
“Sa e sa herë kur bllokohen pusetat e ujërave të zeza në rrugën ‘Gazmend Zajmi’ ekipet e mirëmbajtjes së rrjetit të kanalizimit çdoherë janë në gjendje gatishmërie dalin dhe i zhbllokojnë. Në atë rrugë zhbllokimi i pusetave nga ana jonë thuajse bëhet çdo të dytën apo tretën ditë, me ç’rast zgjidhja është e përkohshme për banorët e zonës në fjalë. Përgjegjësia e ndërrimit të kolektorit, rrjetit të kanalizimit është e Komunës së Prishtinës, pasi në vetëm i mirëmbajmë pusetat. Komuna e Prishtinës mund të ju japë informata lidhur me ndërrimet e rrjetit pasi siç kemi informacion nga ana e tyre veç e kanë në plan tashmë rrugën ‘Gazmend Zajmi’”, ka thënë Mjeku, raporton ktv.
Koha.net ka provuar të mërkurën pasdite të marrë një konfirmim nga zëdhënësja e komunës, Miranda Mullafazliu, por një gjë e tillë ishte e pamundshme. Megjithatë, mësohet se rruga “Gazmend Zajmi” bën pjesë në planin për rrjetin e ri të kanalizimit dhe është në procedurë tenderimi. Procedurat pritet të përfundojnë sivjet.
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)