Aktuale
Nuk lejohet KEK-u të nxjerrë thëngjill pa marrëveshje në Shipitullë
Zhurma e ekskavatorëve të KEK-ut, e filluar një muaj më parë në fshatin Shipitullë të Obiliqit, u ndal në mëngjesin e kësaj të enjte për të vazhduar prapë në orën 11.
Ekskavatorët pushuan vetëm gjatë kohës sa po protestonin banorët e këtij fshati.
Ardian Mjekiqi, përfaqësues i Lagjes Mjekiqi , thotë se protesta e tyre mund të bëhet e dhunshme nëse KEK-u nuk ndal punimet pa arritur marrëveshje shpronësimi.
Bashkëfshatari i Ardianit, Saim Krasniqi, thotë se KEK-u po refuzon t’i punësojë banorët e këtij fshati. Vetëm në lagjen e tij janë 52 familje, të cilat presin t’u punësohen nga një familjar në këtë korporatë, shkruan Koha.net.
Ndërsa, Senar Mirena thotë se KEK-u me këto ndërtime po e shkel kornizën politike për zhvendosje.
Zyrtarë në KEK i kanë thënë KTV-së se kjo korporatë po pret përfundimin e procedurave për të aktivizuar mekanizimin e heqjes së djerrinës.
“Deri sot KEK-u ka arritur mbi 20 marrëveshje. Është në pritje edhe të një numri të konsideruar të marrëveshjeve gjatë këtyre ditëve, pasi që ka reflektim pozitiv nga banorët. Kjo është një dëshmi se janë aplikuar standarde të larta ndërkombëtare për shpronësimin e banorëve të Shipitullës”.
Javën e kaluar, qeveria në detyrë miratoi propozimin e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor për shpronësimin e pronave të paluajtshme në Hade e Shipitullë.
Këto zona kadastrale preken nga realizimi i projektit për mihje që plotëson nevojat e KEK-ut për thëngjill.
You must be logged in to post a comment Login