Aktuale
NPB sërish përlas pozitën e opozitën në Komunën e Prishtinës

Propozimi për shkarkimin e bordit drejtues të Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB) është bërë mollë sherri ndërmjet asambleistëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe PSD-së, në vazhdimin e mbledhjes së nëntë të Kuvendit të Komunës së Prishtinës.
Fillimisht ky propozim i iniciuar nga Egzon Azemi i LVV-së, është rrëzuar me 23 vota kundër 3 abstenime dhe vetëm 3 pro. Pas këtij votimi, asambleistët e LDK-së dhe LVV-së e lëshuan sallën.
“Unë propozoj që një seancë e tillë e pazareve të lodhta, me marr fund sa ma shpejt’’, deklaroi Azemi.
Ndërsa, pas vazhdimit të seancës, Egzon Azemi u rikthye i vetëm në sallë, ku u fjalos me asambleistin e PSD-së Nol Nushi.
“O papagall, nuk është këtu kopsht zologjik, nuk e di kur dojin me e kuptu njerzit që këtu nuk është kopsht zologjik me bo si papagall gjithë ditën”, tha Nushi.
Më pas Azemi iu kundërpërgjigj duke thënë se ndihet i shqetësuar që “Adem Grabovci” i vogël, po bën ofendime në çdo seancë, madje edhe ofendime familjare, duke aluduar për Nol Nushin e PSD-së.
Ndërsa, Nushi u përgjigj se ai e ka kritikuar politikisht Albin Kurtin, e nëse Azemi e konsideron si babë Albinin është problem tjetër, e ky nuk është ofendim familjar.
Në anën tjetër, Suzana Kika e AAK-së e ka deklaruar dorëhejqen e saj nga bordi i Ndërmarrjes Publike Banesore.
“Dorëheqjen time e kam ofruar me datë 1 tetor në mënyrë elektronike. Sa i përket kësaj dorëheqje, nuk e di a ju ka informuar kryesuesi, po kushdo që është i interesuar që përmbajtjen e dorëheqjes ta ketë, mund ta kërkoni nga kryesuesi”, deklaroi Kika.
Ndërkaq pozitën e Suzana Kikës në bordin e NPB-së, e zuri Vesel Makolli me 25 vota pro dhe 1 abstenim.
Seanca ka vazhduar me pika të tjera të rendit të ditës , pas kthimit të asambleistëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, në sallë.
