Arkitekturë
Njihuni me Rinor Komonin, arkitekt në aeroportin gjigant të Abu Dhabit [foto]
Shkuarja në Amerikë në moshën 17 vjeçare për të vazhduar vitin e fundit të shkollës së mesme ishte hapi i parë drejtë suksesit në nivel ndërkombëtar në botën e arkitekturës. Një aplikim i thjeshtë për studime në Norwich University në Vermont i mundësoi përgatitjen profesionale në mënyrë që më vonë t’u jap jetë projekteve të rëndësishme në kompaninë e madhe KPF. Është ky arkitekti nga Kosova, Rinor Komoni që arriti t’u jap dorë projekteve të mëdha në SHBA, Kinë e në Lindje të Mesme.
Së fundmi, ai është duke punuar në aeroportin më të madh në botë që gjendet nën një kulm, ndërsa i treti në botë për sipërfaqen më të madhe, në Abu Dhabi. Ky është rrëfimi i Rinor Komonit për Ndërtimi.info për rrugëtimin e tij të gjatë.
Shkollimi në Amerikëia kishte bërë shumë të lehtë ambientimin në punë. E, dëshira e tij për të ushtruar profesionin në “KPF” kishte lindur si shkak i shtrirjes së veprimtarisë së kësaj kompanie në Kinë dhe në Lindje të Mesme. E, gjithë kjo pasi këto dy regjione në vitet e para të mijëvjeçarit të dytë kishin hov në arkitekturë, dhe kjo tërhiqte arkitektë nga e gjithë bota, shkruan Ndërtimi.info.
KPF (Kohn Pedersen Fox Associates) është kompani amerikane e arkitekturës që ofron shërbime të arkitekturës në të gjitha sferat. Ajo është themeluar nga Eugene Kohn, William Pedersen dhe Sheldon Fox, në New York më 1976. Numri i të punësuarve sot është mbi 550. Është fituese e shumë çmimeve nga AIA.
Punën me kompaninë “KPF” kishte filluar në vitin 2008 në New York, menjëherë pas përfundimit të studimeve master për arkitekturë.
Mirëpo, si pasojë e krizës ekonomike që kishte kapluar botën perëndimore në vitin 2008-2009 shumica e projekte atje kishin ngecur. Por, kjo nuk e kishte ndaluar Komonin që të kërkojë mundësi për të reja për të treguar edhe më tutje vetën në këtë profesion.
Kishte mjaftuar biseda me presidentin e “KPF”-së që ai të shkonte në Kinë për të realizuar projekt arkitektonike.
Rinor Komoni tregoi për Ndërtimi.info fillimin e punës në Kinë dhe kalimin e tij në si mbikëqyrës i disa projekteve në ndërtimin Aeroportit të Abu Dhabit
“Në vitin 2009 punova në Kinë për 8 muaj dhe e kisha marrë vizën për punësim, me pasaportë të Kosovës. Pa një kohe qeveria u bë më e njohur në çështjen e Kosovës dhe nuk më lejonin që të qëndroj në Kinë me këtë pasaportë. Shkurtimisht, u ktheva ne New York dhe mundësia e ardhshme më erdhi që të shkoj në Abu Dhabi që të angazhohem në aeroportin e ri. E mora vendimin dhe erdha në Abu Dhabi në vitin 2010. Ndërtimi i aeroportin nuk kishte filluar ende dhe vetëm exkavimi ishte bërë dhe shtyllat e themelit ishin futur”, tregoi ai.
Mirëpo, ai nuk është i vetmi shqiptar që punon në projektin e këtij aeroporti. Arkitekti Komoni, tregoi se së bashku me të punojnë edhe shtatë shqiptarë të tjerë, në punë të ndryshme të këtij projekti.
Ndërkaq, puna e tij në vende të ndryshme të botës ka bërë që në arkitekturë çdo detaj ta ketë në shënjestër.
Padyshim që nuk ka shpëtuar pa i hedhur një sy kritik edhe ndërtimeve në Kosovë.
“Gjithnjë kam qenë i dëshpëruar kur kam ardh në Prishtinë dhe kam vizituar qytete tjera. Kjo ishte rezultat që ligji i urbanizmit nuk zbatohet. Por është bërë çka është bërë, tash vetëm duhet të zbatojmë ligjin rreptësishtë dhe të zbukurojmë atë që është ndërtuar pa leje”, pohoi ai për Ndërtimi.info.
Por, sipas tij nëse fokusi vihet në disa çështje në qytete e Kosovës do të ketë ndryshim.
“Zbatimi i ligjit të urbanizmit është prioritet për qytetet e Kosovës. Vetëm me zbatimin e rreptë të urbanizmit qytetet e Kosovës mund të frymojnë. E dyta është edukimi i personave në mbikëqyrje. Nëse edukimi është i limituar në Kosovë, atëherë duhen te angazhohen kompani konsultuese nga jashtë që kanë eksperiencë në këtë lëmi”, shtoi ai.
E, në anën tjetër bazuar edhe në suksesin që ka arritur deri tani, synimet e Komonit janë që edhe më tutje të qëndrojë në tipologjinë e aviacioni dhe të punojë në arkitekturën e aeroporteve nëpër botë, me qëllim që ato të jenë sa më efikase./Uran Haxha/Ndërtimi.info/