Aktuale
Njëri prej punëtorëve të mbijetuar në ish-hotelin “Adriatik” tregon si shteti e la pas dore

Shembja e një pjese të ish-hotelit “Adriatik”, në Mitrovicë, nga ku mbeti i vdekur punëtori Visar Behrami teksa po punonte, ka shaktuar edhe lëndimin e personave të tjerë që po punonin aty.
E tre nga të mbijetuarit e kësaj ngjarjeje nuk janë në gjendje të mirë. Këtë gjë e rrëfen 20 vjeçari me inicialet S.S, i cili ende e ka parasysh tmerrin e 22 prillit, kur bashkë me dy kolegët e tjerë arritën të ikin nga rrënojat.
“U blloku dera, jena kanë me dy vetë, edhe tu u mundu me e thy derën, Zoti deshi që u çel dera dhe jemi dalë dhe dy sekonda, s’i ka më shumë, është rrëzu komplet hoteli”, shprehet punëtori.
Nga tentimet për të hapur derën S.S edhe ka marrë lëndime trupore, të cilat vazhdojnë t’i sjellin probleme.
“Duke u mundu me e hap me këtë pjesën e dorës, hala kom problem, që më dhemb”, theksoi ai.
Ndërsa pasi ishte ndalur rrënimi i ndërtesës, 20 vjeçari, që preferon t’i ruhet identiteti kujton se ishte kthyer për ta kërkuar edhe kolegun e mbetur brenda objektit.
“Kam fillu me hy brenda, kam bërtitë Visar… Visar…., por nuk është dëgjuar”, rrëfen ai.
S.S thotë se natën e fatkeqësisë qëndruan për shtatë orë në stacionin e policisë, por nuk morën trajtim mjeksor ani pse patën nevojë.
Ndërsa tani mjekimet e konsultimet me psikologun i paguan vetë dhe për ta nuk është interesuar askush nga institucionet.
“Unë habitem prej institucioneve shtetërore që askush nuk o dalë me na thirrë a me na pyet qysh jemi”, deklaron ai.
E sot, në Ditën Botërore të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë i mbijetuari ka një kërkesë për inseprktorët e punës.
“Të dalin më shpesh në kontrolla që mos të ndodhë prapë kjo që na ka ndodhë neve. Le të jetë e fundit kjo që na ka ndodhë neve”.
Për punën që e bënin këtu, punëtorët angazhoheshin në baza ditore për një pagesë prej 10 eurosh dhe nuk kishin sigurim shëndetësor madje as kontratë pune.

Kujtojmë se rasti i Mitrovicës është rasti i tretë i humbjes së jetës në vendin e punës gjatë këtij viti.
“Vitin e kaluar kanë qenë 22 veta që kanë vdekur në vendin e punës. Rasti i Mitrovicës është vdekja e tretë gjatë këtij viti dhe i pari në sektorin e ndërtimtarisë. Për nëse i marrim sektor për sektorë ndërtimtaria është sektori më i rrezikshëm”, ka treguar kryeinspektori i Punës, Basri Ibrahimi.
Ngjarja e 22 prillit kishte filluar në kohën kur punëtorët – dëshmitarët A.M, M.M dhe S.H po pastronin objektin në katin e parë, viktima Visar Behrami kishte hipur në skelë dhe po prente shtyllën e katërt me radhë të katit të parë të objektit, në këtë moment punëtorët-dëshmitarët e vërejnë se po shembet një pjesë e objektit dhe fillojnë të ikin në drejtim të derës së hyrjes, ndërsa viktima nuk arrin që të ikë dhe i njëjti mbetet nën rrënojën e objektit, dhe pas disa orëve nxjerrët pa shenja jete.
E Prokuroria Themelore në Mitrovicë, përkatësisht Departamenti për Krime të Rënda, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë caktimin e paraburgimit për dy të dyshuarit A.H dhe Q.H, për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 365 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas kërkesës së prokurorisë të dorëzuar në gjykatë, ekziston dyshimi i bazuar se të dyshuarit A.H dhe Q.H me datën 22.04.2019 rreth orës 16.55, sipas marrëveshjes gojore mes vete dhe pa konsultimin e ekspertit përkatës për rrënimin e objekteve kanë filluar ti kryejnë punët në objektin ndërtimor në objektin e ish-hotelit Adriatik, të cilën pronë i pandehuri A.H e ka marrë me qera dhe në cilësinë e punë dhënësit, ndërsa i pandehuri Q.H në cilësinë e pune kryesit.
Hetimet për rastin po vazhdojnë të hulumtohen nga autoritetet përkatëse.
Hotel Adriatiku u ndërtua në vitet e 70-ta dhe ishte ndër objektet më të famshme të Mitrovicës aso kohe.

