Aktuale
Një vit nga memorandumi, Xhamia e Çarshisë në Prishtinë në gjendje të njëjtë
Ditë të bereqetshme e kishte cilësuar atë të 11 qershorit të vitit të kaluar kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava. Atë ditë midis Ministrisë së Kulturës, Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) dhe Bashkësisë Islame të Kosovës ishte nënshkruar memorandum për restaurimin e konservimin e Xhamisë së Çarshisë në Prishtinë.
Por bereqeti i asaj marrëveshjeje nuk ka dalë në pah as pas më shumë se një viti. Monumenti që gjendet në qendër të Prishtinës vazhdon të mbetet në gjendje të njëjtë. Në kushte normale, memorandumit të vjetshëm nuk do t’i vinte radha fare.
Restaurimi i objektit, që njihet edhe si Xhamia e Gurit, është dashur të finalizohej qysh më 2013. Për këtë janë shpenzuar mbi gjysmë milioni dhe punimet kishin mbetur pezull sherri i një keqkuptimi midis Komunës së Prishtinës dhe Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, shkruan sot “Koha Ditore”.
Por shkaku i kësaj gjendjeje BIK-u, TIKA e MKRS-ja ishin bërë bashkë për të mos e lënë monumentin e shekullit XV të rrethuar me skele e të papërdorshëm siç është tash së paku shtatë vjet. Memorandumi i nënshkruar midis tri palëve nuk mban ndonjë afat se kur do të nisin a kur do të përfundojnë punimet. Aty ceket se TIKA ka për obligim që të hartojë projektin, ta dërgojë atë në IKMM për miratim dhe t’i kryejë punimet. Roli i Ministrisë së Kulturës dhe i BIK-ut edhe krejt koordinues. Në memorandum nuk ka kurrfarë të dhënash as për shumën që do të investohet në këtë xhami.
E Ministria e Kulturës ka konfirmuar se ende nuk është bërë asgjë sa i përket këtij memorandumi.
Viteve të kaluara xhamia filloi të përdorej nga përdoruesit e drogave dhe oborri i saj si parking i automjeteve, por pas nënshkrimit te memorandumit, TIKA vendosi rrethojat përreth objektit për mbrojtje.
Xhamia, që ndryshe njihet si e gurit, pati nisur të restaurohet në vitin 2011, e me ardhjen në pushtet të Shpend Ahmetit, në vitin 2013, restaurimi ishte ndalur dhe lënda ishte dërguar në Prokurori, me dyshimin për keqpërdorim fondesh prej 562 mijë eurosh.
Xhamia e gurit llogaritet si një ndër ndërtesat më të vjetra të Prishtinës, e ndërtuar rreth vitit 1392.