Aktuale
Një tjetër revistë prestigjioze me elozhe për Sheshin Skënderbej, në Tiranë

Kur bie fjala për kryevepra të arkitekturës bashkëkohore, Sheshi Skënderbej i Tiranës, është kryetema e medieve vendore e ndërkombëtare. Përveç çmimit Evropian për Hapësirën Publike Urbane, që e mori në vitin 2018, në Barcelonë dhe shkuarjes në finale për Çmimin e Bashkimit Europian të 2019-tës, për Arkitekturë Bashkëkohore – Mies van der Rohe, sheshit kryesor të Tiranës po i dedikohen edhe shumë artikuj komplimentues.
I fundit është artikulli nga revista e njohur e arkitekturës “Architect Magazine”, e cila e vlerëson këtë projekt si simbol të Shqipërisë dhe si një “zbrazti” në kaosin e qytetit.
“Projekti i Sheshit Skendërbej, në Tiranë përveç se është një simbol për gjithë vendin, në një kontekst kompleks e të dendur urban, paraqitet si një ‘zbrazti’, për kaosin e qytetit, thuhet në tekstin e revistës së njohur.
Në artikull theksohet se dizajni i tij ri-organizon hapësirën e madhe ish-komuniste në një mënyrë të thjesht por mjaft radikale, me materiale unike, duke e hapur atë drejt formave të reja të perceptimit.
Përzgjedhja e materialeve vendore për realizimin e projektit është një tjetër veçori që ceket nga “Architect Magazine”, transmeton Ndërtimi.info.
“Një tjetër aspekt i projektit të sheshit është projektimi i plotë me materiale vendore. Sheshi qendror në Tiranë, në të dy materialet e përzgjedhura, si gurin po ashtu edhe detajet e tjera të përdorura, i janë përshtatur përzgjedhjes së elementeve lokale. Gurë të ndryshëm nga e gjithë Shqipëria u përdorën për 129 mijë e 600 pllakat, me të cilat u ndërtua sheshi. Kur fontana është aktive, uji i rrjedhshëm zbulon sipërfaqen shumë-ngjyrëshe që vë në pah bukurinë e këtij projekti. Procesi solli një hulumtim të detajuar mbi vendndodhjen, kapacitetin dhe cilësitë e gurëve të ndryshëm natyrorë të Shqipërisë, duke kontribuar në krijimin e një katalogu të gjallë për burimet natyrore të Shqipërisë.
Sheshi Skënderbej u projektua nga studio e arkitekturës “51N4E” në bashkëpunim me Anri Sala, “Plant en Houtgoed” dhe “iRI” dhe ekzekutimi i parë i fazës së parë të punimeve për këtë projekt zgjati pothujse një dekadë, për t’u përfunduar pastaj pas një bashkëpunimi intenziv dhe funksional ”, thuhet në tekstin e revistës prestigjioze.
Tutje theksohet se projekti po zhvillohet në një demokraci shumë të re, në një vend të vjetër, duke manifestuar të gjitha shpresat dhe tensionet që vijnë së bashku me tranzicionin.
“’51N4E’ së bashku me ‘Plant en Houtgoed’, zhvilluan konceptin e ekosistemit urban, duke bashkuar një qasje ekologjike. Nocioni i zbatimit të projektit u zgjerua për të krijuar një mjedis që integron ekspertizën vendore dhe ndërkombëtare.
Projekti u rishikua në vitin 2016 së bashku me një gamë të gjerë të bashkëpunëtorëve dhe palëve të interesuara, të cilët së bashku dhe përmes një ‘procesi dialogu’ trajtojnë çështjet kryesore për një plan ambicioz për të ardhmen e Tiranës.
Sheshi Skënderbej do të bëhet hapi i parë sigurues për busullën strategjike të Tiranës. Si shesh qendror i një vendi të vjetër që po zhvillohet në një demokraci shumë të re, projekti manifeston të gjitha shpresat dhe tensionet që vijnë me atë tranzicion. Sheshi kontribuon gjithashtu në përmirësimin e mjedisit përreth”, thuhet më tej në shkrimin dedikuar sheshit kryesor të Tiranës.
Kujtojmë se në muajin prill të këtij viti do të shpallet fituesi i çmimit të Bashkimit Europian të vitit 2019 për Arkitekturën Bashkëkohore – Mies van der Rohe, ku sheshi i Tiranës është shpallur finalist, në mesin e 383 projekteve të nominuara nga 36 vende të botës./Ndërtimi.info/
