Arkitekturë
Një shtëpi e arreduar sipas tre stileve të gërshetuara me ngjyrën e zezë, nga arkitektja Ronilda Dedvukaj

Zakonisht, në arredim, ngjyra e zezë përdoret për detaje dhe janë të pakta ato interiere ku e zeza është mbizotëruese. Duke qenë se kjo ngjyrë është sinonim i elegancës, thjeshtësisë dhe minimalizmit, ashtu siç është një fustan apo një kostum i zi për një mbrëmje të rëndësishme, është një zgjedhje që jep rezultat të garantuar.
RONILDA DEDVUKAJ është një nga arkitektet e re. Ajo ka studiuar në Romë për Inxhinieri Ndërtimi dhe Arkitekturë në Universitetin “La Sapienza”. Pas studimeve është kthyer në Tiranë, ku jeton dhe ushtron profesionin e arkitektes. Pasionet e saj kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë ende arti dhe piktura, të cilat i ushtron në kohën e lirë. Ndikimi i tyre është i dukshëm edhe në projektet e saj të dizajnit. Ronilda pranoi me kënaqësi të tregonte për lexuesit tanë një nga punët e saj më të fundit. Në këtë projekt interesant, ajo ka futur me mjaft elegance shumë nga risitë e saj.

SALLONI DHE KUZHINA NË NJË HAPËSIRË TË VETME, OPEN SPACE
Në këtë ambient të vetëm lexohen më së miri tri stilet e arredimit, modern, eklektik dhe industrial, të përfaqësuar nga linja të pastra, gjeometrike dhe filozofi minimaliste. Në zonën e ngrënies mbizotërojnë detajet e arredimit klasik të zhveshur nga elemente, si kornizat që ndajnë murin nga tavani, boiseria (veshja e ulët e murit me dru) dhe ndenjësja në zonën e ngrënies. Stilin industrial e gjejmë në përdorimin e tulles dhe në trajtimin e dritares.
Gjëja e parë që bie në sy sapo hyjmë në sallon, është mobilja me funksion të trefishtë: banakishull kuzhinë+librari+kënd TV me material MDF (imitim dru lisi) me ngjyrë të zezë. Në këtë mënyrë pothuajse nuk ndihet fare kalimi nga zona e sallonit në kuzhinë. Këtij qëllimi i shërben dhe boiseria që vesh murin e sallonit duke filluar nga biblioteka, për të përfunduar te një mobilie sospeso sipër së cilës ndodhet një pasqyrë me kornizë të zezë, që është vazhdimësi e mobilies së kuzhinës.
Në të njëjtën kohë, kjo bën thyerjen mes divanit me ngjyrë të çelët dhe stukos veneciane (gri të çelët) duke theksuar divanin, i cili në të kundërt do të humbiste nga efekti i përthyerjes së dritës në mur.

HAPËSIRA E NGRËNIES është konceptuar të vendoset mes sallonit dhe kuzhinës, gjithmonë për të lidhur dy ambientet. Veçoria e tij është ndenjësja me mbështetëse të lartë që lidhet në mënyrë harmonike me murin e veshur me tullë dhe krijon iluzionin e një ambienti më të lartë, duke u dalluar nga mobiliet e tjera që kanë shtrirje horizontale. Pranë ndenjëses është pozicionuar rafti i verërave, i cili është inkasuar pjesërisht në mur, për të zënë sa më pak hapësirë. Verërat nuk janë ekspozuar qëllimisht, për t’i qëndruar besnik logjikës minimaliste (Less is more).
Mobilja e kuzhinës në formë U-je, përfundon me një ishull për konsumin e shpejtë të një vakti, ndërsa elektroshtëpiaket janë zgjedhur me detaje të zeza, që të ishin në harmoni me mobilien.

DHOMA E GJUMIT
Elementi mbizotërues në dhomën e gjumit është krevati a baldacchino (tendë), i cili është retrò inspired, por i përkthyer në stilin modern. Raftet kornizojnë dritaren poshtë së cilës është pozicionuar një ndenjëse e rehatshme, ku një pjesë e saj është shfrytëzuar për sirtarë. Trajtimi i murit me stuko veneciane ngjyrë gri thyen ngjyrën e zezë dhe në të njëjtën kohë e nxjerr më në pah atë. Vendosja e një pasqyre të madhe përbri krevatit, të jep idenë e një hapësire më të gjerë, sepse krevati a baldacchino ka tendencë që ta zvogëlojë hapësirën

NDRIÇIMI KA FUQINË TË NDRYSHOJË PERCEPTIMIN QË KEMI PËR HAPËSIRËN, prandaj është pozicionuar në mënyrë të atillë që të theksojë tre hapësirat kryesore: këndin e divanit, ishullin dhe tavolinat e ngrënies. Është zgjedhur një ndriçim i ngrohtë, për të krijuar një atmosphere po të ngrohtë dhe relaksuese. Një element i veçantë i të gjitha ambienteve të shtëpisë, janë dritaret në stilin industrial dhe mungesa e perdeve, duke përdorur vetëm grilën e jashtme për krijimin e privatësisë. Për shtrimin është përdorur laminat inxhinierik, imitim dru lisi, që krijon vazhdimësi mes ambienteve të ndryshme të shtëpisë dhe kontrast me mobiliet e zeza, duke i theksuar ato.

KORRIDORI
Korridori nuk është vetëm një hapësirë kalimi, por na jep impaktin e pare të një shtëpie sapo hyjmë brenda, kështu që ka nevojë për vëmendjen e duhur. Në rastin konkret janë zgjedhur dy pasqyra të mëdha, të cilat i japin më shumë dritë dhe krijojnë iluzionin e një hapësire më të madhe.

TUALETI
Në fund të korridorit është tualeti, që më parë ishte i madh dhe karakterizohej nga hapësira të pashfrytëzuara, prandaj u nda në dy të tillë (njëri i përbashkët dhe tjetri brenda dhomës së gjumit). Përdorimi i pllakës së zezë krijon kontrast me mobilien dhe pasqyrën me kornizë druri, duke i dhënë më shumë ngrohtësi, por pa humbur elegance

AMBIENTI I FUNDIT TË CILIN DO TË PËRSHKRUAJ ËSHTË STUDIOJA.
Përballë me derën e studios është vendosur tavolina e punës dhe pas saj, vetrata me dalje në ballkon. Pozicionimi i spoteve mbi divanin me korrisponce, nxjerr më në pah ngjyrën mustardë duke theksuar më tepër kontrastin e bukur me ngjyrën e zezë që mbizotëron në veshjen e mureve, bibliotekës dhe tavolinës. Tapeti me print lëkurë lope dhe perimetër të çrregullt, i lidh me njëri-tjetrin këto elemente duke i dhënë më shumë elegancë hapësirës.
