Aktuale
Një mëngjes mund të na çelë me Kullën e rrëzuar të Jasharajve, krejt po e thonë [video]
Sikur të mos të kishin mjaftuar topat dhe predhat serbe, kullat e Jasharëve i goditi koha prej 20 vjetësh, pa i lëshuar askush një sy serioz për restaurim e mirëmbajtje.
Kushtrim Hajzeri
Në të hyrë në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz bie në sy një hapësirë e rregulluar mirë me pllaka mermeri, gjelbërim e ura në një lum afër varreve të heronjve. Që të rregullohen deri në detajin e fundit kujdes është treguar edhe për varret e renditura si një ushtri.
Por, fatin që të kenë pamje madhështore nuk po e kanë kullat, ku familja Jashari jetoi dhe ra. Tri objekte të larta u bënë ballë granatimeve e luftimeve disa ditore. Ato në atë kohë pësuan dëmtime, por arritën që qëndrojnë stoikisht në këmbë.
Asaj i bënë ballë, por dëmtimi serioz po lë gjurmë në ditët e sotme, që ekipi i Ndërtimi.info i pa edhe vet. Gati dy dekada pas sulmeve kanë bërë që kullat të mos i përballojnë shkatërrimet e kohës e mos-kujdesit. Të dobëta para kësaj padyshim se janë skelet e çatitë që ishin vendosur që t’i mbrojtur këto ndërtesa. Kjo veshje nuk arriti që 20 vjet t’i bëjë më të qëndrueshme këto fortifikata.
Vetëm disa centimetra më poshtë çatisë së metaltë është kulmi i vërtetë i kullës së madhe. Atij i kanë mbetur vetëm disa gjurmë nga struktura e saj. Dëmtimeve të njëjta nuk i shpëtuan as dy të tjerat që janë aty pranë, raporton Ndërtimi.info.
Më tej hyrja në kullë përmes shkallëve nuk mund të bëhet më. Kjo pasi ato tashmë janë rrëzuar. Funksion më nuk kryen as ballkoni në katin e sipërm. Pamja e Prekazit nuk mund të shijohet më nga aty lart, pasi ballkoni ka mbetur i varur sa për të dëshmuar se dikur nga aty vrojtohej hapësira përreth.
Derisa ballkoni qëndron edhe i varur, pjesë të kullës tjetër tashmë kanë rënë në tokë. Nuk janë më pjesë e objektit, por ato janë skajuar shumë pranë tij.
E, vetëm disa metra larg ishte objekti i vogël, ku dikur mbahej municioni i familjes Jashari. Tash nga ai kanë mbetur disa rrënoja dhe një mur që qëndron ende i ngritur. Më mirë nuk është as bunkeri i komandantit Adem Jashari nga i cili vëzhgonte zonën. I gjendur në mal, qindra metra larg kullave, ky bunker i drurit është dëmtuar nga reshjet e shiut, derisa përreth e ka përfshirë balta. Jashtë dëmtimeve nuk është as busti i Komandantit Legjendar Adem Jashari, që i janë vjerrur pllakat.
Këto pamje i shohin çdo ditë vizitorët që nuk ndalen kurrë. Por, kjo gjendje po i zhgënjen ata që pas disa vjetësh u kthyen në këtë vend. Një nga ta është edhe Nazmi Buzhala nga Malisheva.
“Unë këtu nuk kam qenë që një kohë, prej viti 2004. Këtu po shihet që ka dëmtime jashtëzakonisht të mëdha. Shteti duhet marrë masa sepse është shtëpi e shenjtë, është shtëpia e Kosovës. Po shihet që ka rrënim dhe besoj që duhet të ndreqet më mirë. Duhet ende shteti të punojë për këtë vend të shenjtë”, është shprehu ai.
Ata që tash e 18 vjet pothuajse çdo ditë e kalojnë duke shpjeguar për këtë kompleks dhe familjen Jashari e dinë më së mirë çdo ndryshim e dëmtim të detajuar të kullave. Pavarësisht kësaj, ciceronëve më nuk po u lejohet të flasin për këto dëmtime. Njëri nga ta tha për Ndërtimi.info se kjo u është ndaluar nga Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale (AMKM).
Se gjendja e këtyre kullave është e rëndë e pranojnë edhe institucionet e vendit, madje edhe ato që janë kompetentë për ndërhyrje në to.
Për vite të tëra konservimi i këtyre kullave është shtyrë me arsyetimin e mungesës buxhetit e tash për shkak se ende nuk janë bërë ndryshmet në Ligjin për Kompleksin Memorial.
Konservimi i objekteve deri në vitin 2013 kishte qenë në kompetencë të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinore, për të kaluar pastaj tek Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale.
Mirëpo, kjo agjenci nuk planifikon të ndërhyjë derisa të miratohen ndryshimet e ligjit përkatës, pavarësisht se tashmë Qeveria e Kosova ka ndarë 1 milionë euro.
Këtë për Ndërtimi.info e ka konfirmuar drejtori i AMKM, Idriz Blakaj.
“Ne po presim miratimin e ligjit, sepse pa u miratuar ligji ne nuk mund të bëjmë hapjen e tenderit, duke pasur parasysh që me ligjin e ri parashihet që tenderin për Kompleksin Memorial ta hap një komision ndërinstitucional, d.m.th duhet të formohet një komision prej institucioneve të Kosovës, i cili do ta hap tenderin dhe do ta përzgjedhë kompaninë për ekzekutim të punëve”, ka thënë ai.
Ai, ka theksuar se është investuar në çatitë e këtyre kullave. Por, tashmë shihet se edhe ato kanë filluar të mos i rezistojnë kohës. Trarët nga druri kanë filluar që të dëmtohen nga reshjet e shiut.
Duke pritur që të kryhen procedurat për ndryshim-plotësim të këtij ligji, projekti për konservimin e kullave tash e dy vjet ka mbetur në sirtarët e kësaj agjencie.
Ndërtimi.info ka siguruar projektin se si do të duken kullat, i realizuar nga kompania sllovene “AG – inzeniring d.o.o”.
Bujë të madhe dëmtimi i kullave bëri pas alarmit nga Fondacionit kosovar “Trashëgimia Kulturore pa Kufij”.
E, alarm serioz për gjendjen e rëndë të këtyre objekteve ka ngritur edhe Komuna e Skenderaj, në territorin e të cilës gjenden kullat.
Zëdhënësi i kësaj komune, Ramiz Shala ka thënë Ndërtimi.info se kullat janë në atë gjendje sa nëse do të ndodhte ndonjë termet i lehtë edhe i shkallës 3 të rihterit, atëherë ato të shemben.
Ai, ka potencuar se gjendja është përtej alarmantes dhe ata janë gati që të ndihmojnë në çdo formë.
“Çështja është shumë e ndjeshme duke pasur parasysh faktin që nuk është bë sa duhet, për të mos thënë nuk bë fare në mbrojtjen e atyre kullave nga shkatërrimi eventual situata është kritike, për të mos thënë krejt kautike dhe gjendja nuk është e mirë e objekteve aty”, ka theksuar ai.
Ndërkaq, Qeveria e Kosovës ka thënë për Ndërtimi.info se do t’i përmbush zotimet rreth kullave të Jasharëve, derisa ka treguar ndarjen buxhetore për këtë projekt.
“Qeveria e Republikës së Kosovës do t’i përmbush zotimet e saj për restaurimin e kësaj kulle dhe në periudhën 3 vjeçare ka ndarë mjete për restaurim. Për vitin 2018 janë ndarë 1 milion euro. Në buxhetin e vitit 2019, janë planifikuar 2 milionë euro, ndërsa për vitin 2020, 1 milion e 190 mijë euro”, thuhet në një përgjigje të Qeverisë për Ndërtimi.info.
Sipas kësaj Qeveria do të ndajë gjithsej 4 milionë e 190 mijë euro, që i bie të jenë gati 2 milionë më pak sesa është parashikuar të kushtojë projekti. Kjo pasi drejtori i AMKM, Idriz Blakaj ka thënë se kompania sllovene ka parashikuar që projekti i restaurimit të kushtojë 6 milionë euro dhe të zgjat 2 vjet.
Por, Qeveria e Kosovës nuk është përgjigjur në lidhje me procedurat për Ligjin për Memorialin, i cili është arsyetimi kryesor për zvarritje të ndërhyrjes në kulla.
Në anën tjetër, zëdhënësi i Komunës së Skenderajt, Ramiz Shala ka nënvizuar se infrastruktura ligjore nuk duhet të merret si pretekst për mos-konsevrim dhe se agjencia duhet të ndërmarrë veprimet e duhura.
Ai, ka thënë se kjo është përgjegjësi direkte e kryetarit të agjencisë, Idriz Blakaj.
“Ne nuk duhet të presim sepse çdo kohë që kalon është në disfavor të objekteve atje. Ata nuk presin a është në lexim të parë apo dytë, ai shembet dhe ti bëni 150 ligje tutje, që kanë rregullu secilën sferë atje, janë koti, ligje në letër sepse ti nuk e ke gjendjen e kullës çfarë ka qenë këtu e 18 vjet më radhë. Humb e bukura, vlera, trashëgimia dhe kjo është përgjegjësi direkte e Idriz Blakajt dhe e Agjencisë, sepse paret i kanë, ligji i vjetër që është më 2004 i miratuar jep mundësi ligjore, jep rrugë për të bërë në fazën emergjente”, ka theksuar ai.
Shala tutje ka shtuar se duke pasur parasysh që rrënjët e shtetit të Kosovës janë ato kulla nuk guxon as shteti dhe askush të rrijë duarkryq dhe ato kulla të rrënohen. Ndërkaq, investimet në kompleksin e Jasharëve kishin filluar në vitin 2004, disa nga buxheti i vendit, e disa si donacione.
Frika të gjithë prekazasve është që këto objekte të rrëzohen dhe Kosova të mbesë pa një vend ku janë përkulur i madh e i vogël, përball së cilave të gjithë duken dromca që dëshiruan lirinë e vendit.