Aktuale
Një koncesion me plot shkelje e konflikte interesash për një pronë në Mitrovicë
Megjithë kundërshtimet që ka marrë privatizimi i fushës sportive me bari sintetik “Xhevat Isufi-Xheki”, Kuvendi Komunal i Mitrovicës ka aprovuar një gjë të tillë me shumicë votash.
Në faqen zyrtare të Komunës thuhet se, “këshilltarët e Kuvendit Komunal aprovuan me shumicë votash: Propozim-vendim për përzgjedhjen e ofertës më të favorshme për dhënien në shfrytëzim afatgjatë të pronës së paluajtshme komunale të fushës sportive me bari sintetik “Xhevat Isufi-Xheki””.
E përfitues i kësaj është KF Australia, pronar i së cilës është asambleisti i AAK-së e ish-anëtari i AKR-së, Jeton Ujkani.
Koha.net ka siguruar foto ekskluzive ku në dy takime të ndara Ujkani është takuar me nënkryetarin e Komunës, Faruk Mujka, drejtorin e DKRS-së, Tafil Peci e zëvendësministrin, Sami Zeka, para se çështja të hudhet në votim në Kuvendin komunal.
Kujtojmë se ditë më parë një privatizim i tillë është kundërshtuar nga fëmijët në Mitrovicë, të cilët kanë protestuar.
Avni Haxhiu, koordinator i klubit “Trepça”, ditë më parë kishte bërë të ditur se fusha “Xhevat Jusufi” është ndërtuar nga bashkësia evropiane dhe është e destinuar për komunitete.
Sipas tij, në ofertën publike për privatizim, potencohet dhënia e fushës për mirëmbajtje. Ai potencoi se është krejtësisht e palogjikshme që të investohen 750 mijë euro për mirëmbajtje, siç ka deklaruar klubi tjetër, kur dihet fakti se siç u shpreh ai, për ndërtimin e një fushe të re duhen 350 mijë euro.
E K.F Australia përmes një postimi në Facebook ka reaguar për dhënien në shfrytëzim asaj të kësaj fushe.
“Falënderojmë kryetarin e Komunës, nënkryetarin, kryesuesin e Kuvendit, drejtorin e DKRS-së me ekzekutivin dhe anëtarët e Kuvendit Komunal për bashkëpunimin korrekt. Ky aset i komunës tani është investim i garantuar dhe ne i themi pronarit të këtij aseti, Komunës së Mitrovicës, se ne do të kryejmë obligimet tona me përpikmëri. Na vjen keq që disa njerëz me njohuri të cekëta mbi realitetin tentuan ta helmojnë ambientin sportiv në qytetin tonë duke mos na kursyer nga shpifjet deri më të ulëta. Kjo e vërtetë nuk do ta pengoj “K.F Australia” që ti garantojë komunitetit sportiv në Mitrovicë bashkëpunim të plotë për të mirën e përbashkët”, ka shkruar ky klub.
Tutje thuhet se investimet e “K.F Australia”, ashtu si edhe më herët do të jenë edhe në të mirën e shkollave tjera të futbollit.
Një vendim i tillë ka hasur edhe në kundërshtinë e asambleistëve të Vetëvendosjes, më saktësisht të Izet Tahirit, Shkendije Halimit, Muhamet Pllanës e Edona Bajramit.
Burime të Koha.net bëjnë të ditura se për shkak të kësaj çështje në mbledhjen e kryesisë së Vetëvendosjes në Mitrovicë, të mbajtur më 24 dhjetor, pas kundërshtimit të disa anëtarëve, kreu i komunës Agim Bahtiri e ka lëshuar mbledhjen.
Bahtiri është akuzuar se ka vepruar në kundërshtim me parimet e Lëvizjes Vetëvendosje mbi privatizimin, pjesë e të cilës tashmë është edhe ai,
Imer Fejza, delegat në Këshillin e Përgjithshëm të Vetëvendosjes, ndër të tjera ka thënë se, “anëtarësimi në Lëvizjen Vetëvendosje nënkupton edhe pranimin e qëndrimeve tona ideologjike mbi konceptimin e orientimin ekonomik e social”.
Kujtojmë se Bahtiri ishte pjesë e AKR-së dhe sivjet ka kaluar në radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.