Aktuale
“Një kafe me trashëgiminë”
Gjatë ditës së sotme filloi aktiviteti i organizuar nga Ec Ma Ndryshe, “Një kafe me trashëgiminë”, në shtëpinë e Familjes Kirajtani në Prizren.
Për përgatitjen e ushqimeve dhe pijeve tradicionale u përkujdes vetë e zonja e shtëpisë, e cila po ashtu kishte lujatur edhe rolin e ciceronit për të gjithë pjesëmarrësit në këtë aktivitet.
Qëllimi sipas Ec Ma Ndryshe është që objekte të tilla mund të kthehen në destinacione të rëndësishmë turistike.
“Shndërrimi një-ditor i kësaj shtëpie në një hapësirë si “kafeteri” është realizuar me qëllim që të përcillet mesazhi se objektet me vlera të tilla mund të kthehen në destinacione të ndryshme turistike dhe nxitëse të zhvillimit ekonomik njëkohësisht, nga ku të ardhurat do të përmirësonin gjendjen, do të rrisnin vetë-qëndrueshmërinë dhe nivelin e mirëmbajtjes së vlerave të ndërtesave të tilla”, ka shkruar Ec Ma Ndryshe.
Organizata ka njoftuar se është duke u realizuar edhe një projekt, në bazë të të cilit të gjitha objektet e trashëgimisë do të kthehen në shfrytëzim, për t’ia kthyer vlerat Prizrenit që i kishte dikur.
“Së fundmi edhe është duke u realizuar projekti “Revitalizimi dhe Integrimi Socio-Ekonomik i komunitetit lokal në rrugën Marin Barleti në Prizren” në kuadër të të cilit do të trajtohet komplet lagjja dhe ndërtesat e trashëgimisë do të kthehen në shfrytëzim duke ia rikthyer vlerat qytetit të Prizrenit. Projekti është një zgjidhje e përbashkët me banorët, me të cilët janë përcaktuar funksionet e ndryshme të ndërtesave duke i kthyer në përforcues të zhvillimit ekonomik”, thuhet në njoftimin e tyre.
Shtëpia e familjes Kirajtani gjendet në Zonën Historike të Prizrenit dhe është e ndërtuar në shekullin XIX. Është shtëpi tradicionale prizrenase. Në katin e parë ka dy dhoma që ndahen mes tyre përmes hajatit, i cili është në formë harkore. Në katin e dytë është vetëm një dhomë, e cila ndodhet sipër hajatit. Dhoma ka çardakun në pjesën e prapme. Nëpër dhoma janë të ruajtur dollapët, jyklykët, dhe orendi tjera. Në dhomën e sipërme, tavani është i punuar me dru të gdhendur, me motive gjeometrike. Shtëpia vazhdon të jetë e banueshme dhe meqenëse përmban karakteristika unike dhe vlera të larta të trashëgimisë kulturore, është vendosur që në bashkëpunim me pronarët të zhvillohet ky aktivitet që promovon vlera dhe vetëqendrueshmëri të ndërtesave të trashëgimisë kulturore.