Aktuale
Një histori e shkurtër që “ecën” mbi premtimet për Autostradën e Gjilanit
Ndërtimet e autostradave në Kosovë po përcjellin çdo ministër të Infrastrukturës, madje ndërtimet e tyre po bëhen edhe premtimet kyçe për një fushatë. Veç Autostradës “Ibrahim Rugova” dhe “Arbën Xhaferi”, ish-ministri i Infrastrukturës Lutfi Zharku, pati premtuar se në gushtin e këtij viti do të ndërtohet edhe një autostradës tjetër, ajo Prishtinë-Gjilan. Mirëpo autostrada është asgjëkundi.
Në korrik të vitit të kaluar, ish-ministri Lutfi Zharku bashkë me kryetarin e Gjilanit, Lutfi Haziri, dhe kryetarët e qyteteve të Anamoravës, kishin prezantuar projektin e autostradës, Prishtinë-Gjilan-Konçul. Gjatësia e autostradës që ende vazhdon të mbetët në deklaratat e premtuara edhe gjatë kësaj fushate zgjedhore, do të ishte 47.1 kilometra e gjatë, ku do përbëhej nga shtatë segmente.
Ndërsa gjerësia e saj u tha se do të jetë 32 metra, si dhe në kuadër të këtij projekti do të ndërtohen edhe katër ura. Po në këtë prezantim u tregua se autostrada do të lidhë korridorin 6, 7 dhe 10.
Ndërtimi i kësaj autostrada që gëzoi qytetarët e Anamoravës, do kushtonte afro 260 milionë euro, ndërsa për rrugët hyrëse dhe dalëse vetëm për Gjilanin 14 milionë euro.
Megjithatë, edhe pas një viti, marr parasysh deklaratat bindëse se do të ndërtohet, këto ditë autostrada është kthyer në debat kryesore madje po diskutohet edhe në Kuvend, se a do të ketë apo jo autostradë.
Autostrada e Gjilanit, natën e fundit të Qeverisë Mustafa mori nënshkrimin e ministrit Hanefi Muharremi, që kishte shkuar aty në vend të Lutfi Zharkut. E së fundmi kjo çështje mori vëmendjen e të gjithëve, pasi që në rishikimin e buxhetit që u shkurtua nga 2 miliardë në 1.8 miliard, u konfirmuar se është hequr nga buxheti, Autostrada Prishtinë-Gjilan. Buxheti i shumëtrumbetuar 2 miliardësh nga Qeverisja Mustafa, sipas ministrit të tashëm Bedri Hamza ka qenë i mbështetur në baza fiktive dhe jo të sigurta, duke lënë shumë projekte pezull.
Por, për këtë veprim të Ministrisë së Financave ka reaguar ashpër kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri i cili është në garë për të marrë edhe një mandat qeverisjen e komunës.
“Nuk ka asnjë mundësi ligjore dhe nuk guxon me u largu autostrada nga buxheti… mjetet janë marrë për mbulimin e shpenzimeve dhe pagave që është çështje e qeverisë dhe prioriteteve të saj”, ka sqaruar Haziri të mërkurën për Express.
Por këto pretendime i hodhi poshtë, Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ku siguroi që gjilanasit për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Gjilan. Njëjtët u deklarua edhe drejtuesi i Ministrisë së Infrastrukturës, që vie nga radhët e partisë së kryeministrit të vendit, Pal Lekaj. Një gojë me ta ishte edhe ministri Bedri Hamza, i cili tha se do të ndahen mjete për këtë autostradë pasi dihet ndikimi i saj.
Lekaj edhe në seancën e Kuvendit të Kosovës ku u diskutua rishqyrtimi i buxhetit të viti 2017, u deklarua se do të ndërtohet kjo autostradë.
Derisa zyrtarët e institucioneve po diskutojnë për Autostrada ën Prishtinë-Gjilan, Organi Shqyrtues i Prokurimit, po anulon edhe tenderët që u dhanë për kompanitë që do merren me ndërtimin e saj.
Në fund të shtatorit dhe në fillim të tetorit të këtij viti, Gjykatën e Tenderëve e “bombarduan” ankesat e 13 operatorëve ekonomik që kishin aplikuar në këtë tender. Pas marrjes së ankesave OSHP ka kthyer në rivlerësim tenderin për Autostradën A7, Prishtinë-Gjilan, pasi ka konstatuar që Autoriteti Kontraktues, Ministria e Infrastrukturës ka shkelur disa nga dispozitat e Ligjit të Prokurimit Publik.
Një ndër gjetjet e Panelit Shqyrtues gjatë gjykimit të kësaj lënde, është ajo se Autoriteti Kontraktues nuk ka marrë për bazë nenin 1 të Ligjit të Prokurimit Publik, qëllimi i të cilit është të sigurojë mënyrën me efikase, transparente dhe të drejtë për shfrytëzimin e fondeve publike.
Në pritje të vendimit të OSHP-së ishte edhe Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, i cili deklaroi se nëse OSHP nuk e kthen në rivlerësim OSHP-ja do të procedohet tutje.
“Ajo është njëra nga projektet të cilat nëse nuk e kthen në rivlerësim OSHP-ja do të procedohet tutje me të”, ka thënë Lekaj duke shtuar se kjo gjë nuk do të pengohet nga ta. Lekaj më parë ka thënë se këtë kontratë janë duke e rishikuar gjerë e mirë, pasi është nënshkruar ditën e fundit të mandatit të Qeverisjes Mustafa.
Ministria e Infrastrukturës ashtu si e tërë qeveria dhe kryeministri i saj, Ramush Haradinaj, sipas Lekajt janë të interesuar që ky projekt të ndodhë dhe posa të përfundojnë procedurat që nuk janë më të Ministrisë por të organeve tjera, ne do të veprojmë konform ligjit dhe sipas nevojave të qytetarëve, në këtë rast të Anamoraves.
Kujtojmë se Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, në mbledhjen e 28 prillit të këtij viti, miratoi vendimin për krijimin e Komitetit Drejtues Ndërministror për Zhvillimin e Projektit “Autostrada Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë”. Ndërtimi i kësaj autostrade ishte paraparë të niste në muajin gusht të po këtij viti.