Aktuale
KOSID kërkojn nga OPIC të mos financojë “Kosovën e Re”
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2019/03/kosovaere.jpg)
Deri sa i gjithë rajoni ka filluar ndërtimin e termocentraleve të reja, përfaqësues të shoqërisë civile në Kosovë kërkojnë nga OPIC-u Amerikan të mos financojë termocentralin e ri të planifikuar në Kosovë, që vendit pritet t’i sjellë pavarësi energjetike dhe furnizim të rregull me rrymë.
KOSID ka njoftuar për dërgimin e letrës së dytë drejt OPIC, duke kërkuar nga ky institucion të mos përkrahë termocentralin e ri të qymyrit.
“Kemi kuptuar që banka OPIC është duke e konsideruar financimin e këtij termocentrali dhe ne ju kemi kërkuar që kjo nuk bën të ndodh”, thuhet në letrën e OPIC, ku janë publikuar një sërë arsyjesh për mos përkrahje të këtij termoentrali, kryesisht të ndërlidhura me përdorimin e thëngjillit për prodhimin e energjisë elektrike.
Ndryshe, në mungesë të termocentralit të ri, pas dekomisionimit të termocentralit Kosova A, vendi rrezikon fuqishëm furnizimin me energji elektrike, për shkak të mungesës së saj. Në një situatë të tillë, furnizimi me rrymë në Kosovë do të mbështetej edhe në import të energjisë elektrike, që vetëm dekadën e fundit ka kushtuar rreth gjysmë miliardi euro. Në anën tjetër, rryma prinë në listën e produkteve të importuara nga Serbia.
“Termocentrali i ri i qymyrit nuk mund të përmbush statutin e OPIC për ndalimin e mbështetjes së projekteve me ndikim të paarsyeshëm. OPIC-ut i ndalohet me statut të mbështes propozime që shkaktojnë rrezik “të paarsyeshëm ose të madh”, e ky projekt paraqet rrezik të madh për shkak se
Marrëveshje për Blerjen e Energjisë që ka nënshrkuar qeveria e Kosovës me Countur Global imponon rreziqe shtesë ekonomike për Qeverinë dhe popullin e Kosovë’, thuhet në njoftim.
Termocentrale të reja kanë paralajmëruar të gjitha vendet nga rajoni, por edhe një numër vendesh anëtare të Bashkimit Evropian. Në Serbi, një termocentral i ri është gati në përfundim deri sa një tjetër do të fillojë ndërtimin së shpejti. Të gjitha këto përkrahen nga fonde shtetërore të Kinës dhe Rusisë, deri sa termocentrali në Kosovë bëhet me përkrahje të Amerikanëve.
Serbia madje nuk do të ndalet këtu. Ka paralajmëruar edhe projekte tjera gazi deri sa vetëm në fushën e prodhimit të energjisë nga thëngjilli, ka paralajmëruar termocentrale që prodhojnë rreth 2500 megavat. Në rajon ajo pasohet nga Bosna, me 2450 megavat të planifikuara.
Mediat raportojnë se përmes këtyre aktiviteteve Kina me përkrahje të Rusisë, po tenton të shtrijë ndikimin politik në Ballkan, përmes investimit në projekte të mëdha, si ato të ndërtimit të termocentraleve. Kësisoji, ajo do të minimizojë ndikimin e SHBA-ve dhe Bashkimit Evropian në Ballkan.
Si kundërpërgjigjje ndaj zgjerimit të ndikimit, Senati Amerikan kishte miratuar projektligjin për krijimin e një agjencie të investimit në vende në zhvillim me kapital prej 60 miliardë dollarësh, raporton Financial Times. Me anë të projektligjit ky vend mëton të përshpejtojë zgjerimin dhe ri-disejnimin e Korporatës Amerikane Private të Investimit (OPIC).
Amerikanët vlerësonin se kjo iniciativë do të ofronte alternativë të fuqishme kundrejt iniciativave të drejtuara nga shteti i Kinës, që la shumë vende në zhvillim në borxhe të mëdha.
Ndryshe, para ardhjes së tij në Kosovë, Ambasadori Amerikan Philip Kosnett, kishte deklaruar se termocentrali i ri do të bëjë revolucion në ekonominë e Kosovës. Ai kishe përsëritur përkrahjen pas shpalljes së konglomeratit amerikan General Electric, si fitues për kontratën e ndërtimit, inxhinierimit, prokurimit dhe mirëmbajtjes afatgjete të termocentralit.
Në përkrahje të termocentralit ishte shprehur edhe Mattheë Palmer, Zëvendës Sekretar Shteti në SHBA.
“Kosova e Re” gëzon mbështetje të fuqishme nga SHBA-të, kishte deklaruar Palmer gjatë një interviste. Për të vazhduar, Palmer kishte deklaruar se projekti i Kosovës së Re do të sigurojë energji më se të nevojshme dhe të pandërprerë për Kosovën si dhe do të ketë ndikim pozitiv në mjedis.
Palmer u shpreh i lumtur që një kompani Amerikane po drejton projektin e Kosovës së Re.
Përkundër, në letrën e tyre dërguar OPIC, shoqëria civile thekson se OPIC nuk duhet financuar projekte të tilla thëngjilli kryesisht për shkak se politikat e tyre kundërshtojnë thëngjillin dhe u jepin përparësi burimeve të ripërtrishme dhe projekteve të energjisë së gjelbër, ani pse OPIC është fare afër përkrahjes së termocentralit të ri, sipas njoftimeve nga MZHE.
Ndryshe, Kosova është vendi i tretë për nga rezervat e thëngjillit në Evropë. Vendi furnizimin me rrymë e ka të bazuar në dy termocentrale të vjetra, njëri prej të cilëve duhet mbyllur së shpejti për shkak të pasigurisë së prodhimit, presionit ndërkombëtar, dëmeve në mjedis dhe pamundësisë së rivitalizimit.
Qeveria rregullisht ka theksuar, dhe poashtu ka integruar në strategjinë e Energjisë, mbështetjen për energji të gjelbër, përmes tarifave nxitëse dhe mënyrave tjera të mbështejtes, ani pse prodhimi i energjisë nga këto burime nuk krijon siguri të furnizimit, është i pasigurtë dhe nuk paraqet siguri në furnizmin e vazhdueshëm me energji elektrike.
Në anën tjetër, ndikimi i energjisë së gjelbër në tarifat e energjisë elektrike mbetet shqetësimi kryesor në tranzicion, thekson Valdrin Lluka, Ministër i Zhvillimit Ekonomik.
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)