Aktuale
Një dekadë pas dështimit, konkurs ndërkombëtar për Teatrin e Operës

Menjëherë pas miratimit të Projektligjit për buxhetin e këtij viti, Ministria e Kulturës planifikon që të hapë konkurs ndërkombëtar për projektin e teatrit të operës dhe baletit “Dr. Ibrahim Rugova”.
Kësisoj, MKRS-ja do t’i kthehej me një hap konkret projektit, guri themeltar i të cilit qe vënë para gati një dekade, në dhjetor të vitit 2009. MKRS-ja ka paralajmëruar që konkursi të shpallet bashkërisht për projekt ideor dhe final. Por pavarësisht kësaj, udhëheqësit e institucioneve që pritet të zënë vend në ndërtesën e re janë skeptik duke pasur parasysh historinë e këtij projekti. Mbi një milionë euro janë derdhur në emër të këtij projekti.
Prej vjeshtës së vitit të kaluar Komuna e Prishtinës ka mbuluar edhe gropën e hapur, ku u vendos guri themeltar. Projektin e nënshkruar nga arkitekti gjerman Kai Aufermann, e shpalli të pavlefshëm kabineti i ish-ministrit të Kulturës, Memli Krasniqi, në korrik të vitit 2012. Llogaritej që konkretizimi i tij arrinte në koston prej 40 milionë eurosh.
Por sipas ministrit të Kulturës, Kujtim Gashi, pos hapjes së konkursit, në bazë të nevojës, gjatë vitit do të rritet buxheti për këtë projekt. Ai ka thënë se vetëm janë duke pritur miratimin e Projektligjit për buxhetin e vitit 2019, në mënyrë që t’i hapet rruga projektit më ambicioz të Kosovës sa i përket infrastrukturës së kulturës.
Për këtë vit MKRS-ja sipas Projektligjit për buxhet ka paraparë 100 mijë euro buxhet, plus 500 mijë të tjera që llogariten si të hyra nga Agjencia Kosovare e Privatizimit. Sipas këtij Projektligji, Qeveria planifikon që deri në vitin 2021 t’i ndajë për këtë projekt 1.1 milion euro.
“Meqenëse është projekt i madh mund ta shtojmë buxhetin në rishikimin e buxhetit për këtë vit”, ka thënë ministri Gashi.
