Aktuale
Niveli qendror dhe ai lokal koordinojnë interesat zhvillimore

Rasti i Planit Urbanistik të Prizrenit, kërkesa për hapësirë për varrezat e Gjilanit, Zona ekonomike e Rahovecit, kërkesa e Drenasit dhe Skenderajt, Zona e veçantë Ekonomike Amerikane në Gjakovë, janë vetëm disa nga punët e këtij 8 mujori që janë ndërmarrë nga Qeveria, për t’u dalë në ndihmë për zhvillim komunave.
Këto ishin konstatimet e kryeministrit Ramush Haradinaj, në takimin e dytë konsultativ në mes të Qeverisë dhe komunave, ku është diskutuar për forcimin e bashkëpunimit Qeveri – komuna në vitin 2019, dhe për Ligjin për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme komunale.
“I kemi dy tema të përbashkëta, njëra që ende ka të bëjë me pronat, me mundësitë që komunat t’i kenë në posedim pronat për të operuar për interesin e publikut, për interesin e projekteve publike, por po ashtu edhe për interesin e zhvillimit ekonomik, zonave ekonomike, zonave industriale”, tha kryeministri Haradinaj duke shtuar se janë duke e krijuar një bazë të mirë ligjore.
Haradinaj në vazhdim tha se tema e dytë ndërlidhet kryesisht me financimin dhe përkrahjen financiare të projekteve tuaja, me kërkesat legjitime buxhetore, një pjesë e të cilave janë edhe bashkëfinancim komunë – qeveri nacionale, por po ashtu kemi folur edhe për projektet që kërkojnë ndihmën e institucioneve monetare ndërkombëtare, qoftë si hua të buta, për ujërat e zeza qoftë për projekte të kësaj natyre, e deri të EBRD.
Siç u shpreh ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Ivan Todosijeviq, kjo ministri ka përkrahur të gjitha iniciativat komunale dhe çdo kërkesë e komunave është shqyrtuar dhe zgjidhur.
Koordinatori nacional për reforma shtetërore, Besnik Tahiri, e quajti lajm të mirë miratimi i Projektligjit për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të Komunës, i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të komunave.
“Mungesa e një projektligji ka qenë pengesë e madhe për zhvillimin ekonomik dhe kërkesa ime është që ky projektligj të kaloj sa më shpejt në Parlament në mënyrë që të zhbllokohet ky proces”, tha Tahiri.
Kryetarët e komunave kanë përshëndetur miratimin në Qeveri të Projektligjit për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të Komunës, i cili ka qenë pengesë për zhvillimin ekonomik jo vetëm të komunave, por pengesë në zhvillimin ekonomik të gjithëmbarshëm të Kosovës.
Pas takimit të parë, ku u identifikuan sfidat dhe shqetësimet me të cilat ballafaqohen kryetarët e komunave, ky është takimi i dytë konsultativ në mes të nivelit qendror dhe lokal, me qëllim të vazhdimit të përpjekjeve për të fuqizuar edhe më tej komunikimin dhe bashkëpunimin në shërbim të forcimit të rolit të komunave.
