Aktuale
Nismë në favor të avancimit të legjislacionit për kadastër dhe gjeodezi
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2019/06/auto_14gjeo1560516864.jpg)
Me qëllim të reformimit dhe avancimit të legjislacionit që rregullon fushën e kadastrës dhe gjeodezisë në Republikën e Kosovës, Agjencia Kadastrale e Kosovës kishte marrë një iniciativë për ndryshimin e disa udhëzimeve administrative, respektivisht Udhëzimit Administrativ për zbatimin e Ligjit mbi themelimin e regjistrit për të drejtat në pronën e paluajtshme, Udhëzimi Administrativ për licencimin e kompanive gjeodete dhe të gjeodetëve, Udhëzimi Administrativ për zbatimin e Ligjit për kadastër, Udhëzimi Administrativ për tarifat e shërbimeve dhe të produkteve kadastrale të ofruara nga zyrat kadastrale komunale dhe kompanitë dhe gjeodete dhe Udhëzimi Administrativ për tarifat e produkteve dhe të shërbimeve të agjencisë kadastrale të Kosovës.
Edhe pse gjatë draftimit të ndryshimeve kanë qenë të përfshira palë të ndryshme të interesit nga sektori publik dhe privat, përfshirë edhe përfaqësues nga Shoqata e Gjeodetëve të Kosovës, ndaj disa komponentëve të këtyre udhëzimeve kishte pasur rezistencë nga anëtarë të Shoqatës së Gjeodetëve, ndërsa komunikimi dhe bashkëpunimi kishte hasur në pengesa.
Prandaj, për të harmonizuar qëndrimet e Agjencisë Kadastrale të Kosovës dhe Shoqatës së Gjeodetëve të Kosovës, duke marrë parasysh interesat fillimisht të shtetit të Kosovës e pastaj edhe të profesionistëve, kryeshefi i Agjencisë Kadastrale të Kosovës Avni Ahmeti vetëm dy ditë pas emërimit të tij në këtë pozitë ftoi në takim Shoqatën e Gjeodetëve të Kosovës, të cilit si për nga niveli i përfaqësimit, po ashtu edhe për nga masiviteti, iu përgjigjën ftesës për takim.
“Qëllimi primar i takimit ishte që përmes një komunikimi profesional e interaktiv të identifikohen sfidat dhe të gjendet një zgjidhje e pranueshme për të gjithë, po ashtu duke respektuar legjislacionin në fuqi. Si rezultat i takimeve konstruktive, palët në takim harmonizuan qëndrimet, ndërsa të njëjtat do të marrin formën zyrtare edhe me nënshkrimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi mes kryeshefit të AKK-së Avni Ahmeti dhe kryetarit të Shoqatës së Gjeodetëve të Kosovës Murat Hoxha. Rrjedhimisht, të gjitha udhëzimet e përmendura administrative do të procedohen për aprovim, duke marrë parasysh dhe aprovuar edhe komentet e dhëna nga palët e interesit, të cilat nuk bien ndesh me ligjet në fuqi”, thuhet në njoftim.
Në takim morën pjesë edhe përfaqësues nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, respektivisht këshilltarët politikë të ministrit Fatmir Matoshi, z. Leutrim Sahiti dhe z. Fisar Berisha, të cilët kërkuan harmonizim të aktiviteteve dhe premtuan përkrahjen e nevojshme të ministrisë në eliminim të sfidave eventuale që mund të paraqiten gjatë kryerjes së punëve si nga Shoqata e Gjeodetëve, po ashtu edhe nga Agjencia Kadastrale e Kosovës.
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)