Featured
Nisin reagimet për ndërtimin e Hidrocentraleve në Valbonë
Vendimi i Gjykatës Administrative për të lejuar ndërtimin e dy Hidrocentraleve në Valbonë ka nxitur reagime të forta nga ana e shoqatave ambientaliste.
Pas deklaratës së Shoqatës Toka, e cila tha se do përshkallëzojë betejën kundër hidrocentraleve, është Fondi botëror për mbrojtjen e natyrës Adria, ai që është pozicionuar fort kundër vendimit të gjykatës.
Në një deklaratë zyrtare për shtyp, WWF Adria shpreh keqardhje për vendimin e gjykatës për lejimin e ndërtimit të këtyre hidrocentraleve sepse ky zhvillim do të dëmtojë në mënyrë të konsiderueshme dhe pa kthim biodiversitetin dhe ekosistemin e kësaj zone të mbrojtur.
“Për më tepër, meqenëse vendimi për zhvillimin është bazuar në vlerësim të dobët të ndikimit në mjedis dhe në një proces me pjesëmarrje joadekuat të publikut, kemi frikë se do të vendoset një precedent i rrezikshëm që mund të dërgoj në shkatërrimin e lumenjve dhe burimeve të ujërave të ëmbla në gjithë vendin”, tha Petra Remeta menaxhere e programit për ujërat e ëmbla në WWF Adria.